Kancelari gjerman Olaf Scholz u detyrua të largohej nga avioni pak para nisjes nga Tel Avivi, për shkak të një sulmi raketor. Pasagjerëve iu kërkua të shtriheshin në tokë.
Sipas Welt, në momentin e sulmit ka pasur edhe gazetarë të cilët janë detyruar të shtrihen në pistë. Dy raketa të Hamasit u neutralizuan mbi aeroport nga sistemi mbrojtës Iron Dome i Izraelit. Kancelari nuk u shtri në pistën e avionit, por përkundrazi shkoi në një kontejner për t’u strehuar. Pas disa minutash, pasagjerët arritën të hipnin sërish në aeroplan.
Kancelari gjerman Olaf Scholz tha sot se ai kishte diskutuar mënyrat për të marrë ndihma humanitare për civilët në Rripin e rrethuar të Gazës.
“Gjermania dhe Izraeli janë të bashkuar si shtete demokratike, duke vepruar në bazë të drejtësisë dhe ligjit edhe në situata ekstreme… Kam diskutuar me kryeministrin Netanyahu mënyrat për t’i lejuar njerëzit në Gaza të marrin ndihmë humanitare sa më shpejt të jetë e mundur”, theksoi Scholz në konferencën për shtyp që dha me kryeministrin izraelit.
“Ne duam të mbrojmë civilët dhe të parandalojmë vdekjet e civilëve”, tha kancelari gjerman.