Mediat kanë publikuar raportin e ekspertizës paraprake që i është bërë Brian Spahiut pasi humbi jetën, pas ndërhyrjes kirurgjikale në kliniken dentare ‘Splendent’. Sipas ekspertizës paraprake, siç shihet edhe në dokument, shkaku i vdekjes është cilësuar si “Vdekje e papritur nga shkaqe të panjohura më parë”.

Skeda e vdekjes mban firmën e ekspertit mjeko-ligjor Erindo Alla. Shkaku paraprak është përcaktuar më datë 1 tetor, ditën kur vogëlushi 3-vjeçar humbi jetën. Por, pritet edhe një raport përfundimtar për shkakun e vdekjes.

Report Tv u interesua pranë mjekëve për të marrë një sqarim mbi shkakun e vdekjes që është përcaktuar nga ekspertiza paraprake. Mjekët i thanë Report Tv se një shkak i tillë jepet kryesisht tek fëmijët e vegjël, pasi në këto mosha është vështirë të këtë një shkak të mirëfilltë, apo të konsoliduar në organizmin e një fëmije. Një arsye e përcaktimit të shkakut “Vdekje e papritur nga shkaqe të panjohura më parë”, mjekët thonë se mund të jetë edhe një çrregullim i qarkullimit të gjakut.

3-vjeçari Brian Spahiu vdiq në reanimacionin e pediatrisë më 1 tetor, 3 ditë pas kreu ndërhyrjen kirurgjikale te dentistja Ina Xhaxho për mbushjen e 14 dhëmbëve. Ka qenë babai i saj, Roland Xhaxho që ka kryer anestezinë dhe të dy janë nën hetim, ndërsa Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet. Familjarët akuzojnë mjekun se i ka dhënë dozë të lartë anestezie, ndërsa thonë se djalin e kanë marrë në gjendje të rëndë nga klinika.