Denis MacShane, Ministër i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin përgjatë viteve 2001-05, deklaron se Kryeministri Rama ka të drejtë kur thotë që Rusia dëshiron të krijojë një “Donbas të vogël në veri të Kosovës”.

Në një letër të publikuar në Financial Times, politikani britanik mbështet idenë që Franca, Gjermania dhe SHBA të ri-angazhohen në veri të Kosovës për të shmangur pasoja më të rënda.

Sipas MacShane, në këtë mënyrë, vendet e NATO-s dhe BE do duhet të heqin dorë nga “fantazia se Kosova nuk ekziston dhe se mund të kthehet një ditë në një koloni të Beogradit”.

Letra e MacShane:

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka krejtësisht të drejtë kur thotë se Vladimir Putin, me ndihmën e liderit të Serbisë, Aleksandar Vučić, dëshiron të krijojë një “Donbas të vogël” në veri të Kosovës).

Rama kërkon që Franca, Gjermania dhe SHBA të ri-angazhohen. Ata kanë tentuar dhe kanë dështuar. Katër shtetet anëtare të NATO-s dhe BE-së, Spanja, Greqia, Sllovakia dhe Rumania mbështesin linjën e Putin-Vučić për mosnjohjen e Kosovës. Ky gjest dobëson shtetin e ri ballkanik në përforcimin e autoritetit mbi territorin e tij.

Ndoshta Emmanuel Macron i Francës, Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe Presidenti i SHBA-ve Joe Biden mund të bisedojnë me kolegët e tyre në Madrid, Athinë, Bratislavë dhe Bukuresht dhe t’i inkurajojnë këta udhëheqës të NATO-s dhe BE-së, të heqin dorë nga fantazia se Kosova nuk ekziston dhe mund të kthehet një ditë në një koloni të Beogradit.

https://www.ft.com/content/9c7eaa85-d1dd-4b26-94a7-cfa51f04551c