Nga Carlo Bollino/

Gjatë një debati në një televizion italian, një gazetar i famshëm arrin të justifikojë masakrën ndaj grave dhe fëmijëve që po ndodh në Gaza dhe me një ton të vetëkënaqur komenton: “Ç’të bësh! Kështu e ka lufta!”. Në atë moment kuptohet se si lufta detyron gjithë njerëzimin të bëjë hapa mbrapa.

Nuk ka fjalë për të përshkruar tmerrin që shkaktojnë skenat e masakrave të kryera nga forcat e Hamasit ndaj të rinjve, të moshuarve, grave dhe fëmijëve izraelitë, “të fajshëm” vetëm për faktin se janë hebrej ose vetëm për faktin se jetojnë të lirë në atë vend. Dhe përsëri, një cinik si ai gazetari, mund të komentonte me një ton po aq të tmerrshëm, duke u përgjigjur: “Ç’të bësh! Kështu e ka pushtimi!”

Problemi është se pushtimi, ndryshe nga lufta, nuk shkakton asnjë neveri. Ose më mirë, shkakton vetëm kur ndodh para syve tanë, këtu dhe tani, ose në kufijtë e shtëpisë sonë, siç ndodhi me sulmin e tmerrshëm të Rusisë në Ukrainë. Por nëse një pushtim si ai izraelit ndaj palestinezëve, ndodh 56 vjet më parë, dhe për disa aspekte edhe më herët, atëherë nuk skandalizon më askënd. Është kaq i largët në kohë sa konsiderohet i natyrshëm, madje edhe i duhur. E rëndësishme është që të jetë një pushtim aq i rëndë sa të mos lejojë më asnjë formë rezistence, e të pengojë çdo shenjë reagimi. Nëse ndonjëherë i pushtuari ngre kokën dhe guxon të kundërshtojë, atëherë pushtuesi kalon në anën e arsyes, dhe nga shtypës bëhet viktimë. Është e habitshme si gjatë këtyre orëve, shumica absolute e analiste perëndimorë, janë duke u habitur për origjinën e dobësisë së pamenduar të strukturave të sigurisë izraelite, dhe nuk po ngrenë asnjë pyetje për origjinën e fuqisë së befasishme dhe të zemërimit gjakatar të milicisë palestineze. Është sikur për të parët është normal vetëm sundimi, ndërsa për të dytët është i natyrshëm vetëm nënshtrimi.

Unë si gazetar kam qëndruar në tokën e Izraelit për disa vite, fillimisht si i dërguar special dhe pastaj si korrespondent, dhe për të njëjtën arsye kam udhëtuar në tokën palestineze, e cila në pjesën e saj më të madhe është e pushtuar nga forcat izraelite. Gjëja e parë që kam mësuar atje është të mos ngatërroj asnjëherë popullin me Shtetin përkatës, dhe mos të përziej asnjëherë Shtetin me fenë. Jo të gjithë izraelitët identifikohen me fanatizmin hebraik ortodoks, sikundër jo të gjithë palestinezët njësohen me integralizmin islamik. Jo të gjithë palestinezët ndihen të përfaqësuar nga Hamasi, madje as ata rreth 3 milionë që jetojnë si të burgosur në Rripin e Gazës (51% janë më pak se 15 vjeç) dhe disa prej tyre janë edhe katolikë. Po ashtu, jo të gjithë izraelitët ndihen të përfaqësuar nga qeveria e Netanyahut, i rreshtuar me të djathtën ekstreme. Jo të gjithë palestinezët i urrejnë izraelitët, dhe as të gjithë izraelitët i urrejnë palestinezët. Duke e parë në këtë mënyrë, kuptohet më mirë pse sulmi i trupave të Hamasit ndaj kibutzeve në jugun e Izraelit dhe masakrat brenda mureve të pambrojtura, apo ndaj të rinjve të mbledhur për te kercyer në rave-n psikedelik Supernova kanë tronditur botën: Sepse ato trupa të armatosura me mitralozë dhe urrejtje kryen vrasjen e qindra personave të pafajshëm!

Por pikërisht sepse duhet të shihet në të njëjtën mënyrë, nuk kuptohet pse masakra e qindra fëmijëve, grave dhe pleqve palestinezë që po ndodh këto ditë në Gaza nga trupat e armatosura me avionë luftarakë dhe urrejtje, nuk shkakton të njëjtin tmerr. Nëse një padrejtësi ndëshkohet me një padrejtësi tjetër, ku është dallimi mes të sulmuarit dhe sulmuesit? A mund të ndëshkohet një krim lufte me një tjetër krim lufte? Nuk ka rrezik që të humbasim ndjenjën e dhembshurisë për viktimën kur, për hakmarrje, bëhen dhunues?

E dyta gjë që kam mësuar gjatë viteve të qëndrimit mes Izraelit dhe tokës palestineze është ekzistenca e një standardi të dyfishtë të llojit mesjetar. Ajo që vlen për një izraelit nuk vlen për një palestinez dhe anasjelltas. Liria që synon një popull, nuk është një e drejtë e njohur për tjetrin. Jeta e një fëmije izraelit nuk ka të njëjtën vlerë si jeta e një fëmije palestinez. Kur në vitin 2011, Izraeli arriti që Hamasi të lironte ushtarin Gilad Shalid, i kapur peng në Gaza pesë vite më parë, la të lirë në këmbim 1000 të burgosur palestinezë. Diferenca e dukshme vërteton peshën që ai Shtet i jep një ushtarit izraelit në krahasim me atë të një të burgosuri palestinez. Nëse izraelitëve u takon e drejta e shenjtë të ëndërrojnë të udhëtojnë lirshëm, të investojnë të ardhurat e tyre (duke pasur madje edhe kursime), të përmirësohen, të studiojnë, të ndërtojnë një shtëpi të re, etj., të gjitha këto synime elementare për palestinezët janë të mohuara. Horizonti i një izraeliti është i gjatë një jetë, ndërsa për një palestinez, rrallë arrin më shumë se 24 orë.

Është mëse e vërtetë, Izraeli është një demokraci, dhe kjo e bën më të ngjashëm me ne, ndërsa sistemi i qeverisjes që rregullon jetën e palestinezëve nuk është. Por ç’faj ka populli palestinez? A nuk është pikerisht ai viktima kryesore? Ky status i mungesës së demokracise nuk është vetëm për Rripin e Gazës, ku Hamas sundon pa mëshirë dhe pa opozitë që prej 16 vitesh. Po ashtu ndodh edhe në West Bank (Bregun perendimor), ku presidenti i Autoritetit palestinez, Abu Mazen, ka shpallur zgjedhjet e fundit në vitin 2005, dhe pas kësaj i ka shmangur nga frika se do t’i humbasë. Dallimi kryesor mes dy entiteteve është se Hamasi refuzon çdo kompromis me shtetin e Izraelit dhe uron shkatërrimin, ndërsa Abu Mazen negocion dhe pëson. Por rezultati është se pushtimi vazhdon për të dy; Abu Mazen nuk ka arritur ndonjë përfitim për popullin e tij në këmbim të moderimit. Përkundrazi, West Bank është për vite të tëra tokë e pushtuar nga kolonët ultraortodoksë te armatosur, të cilët e kanë fragmentuar atë në qindra feude të vogla të pushtuara dhe në enklava, duke bërë të pamundur të mendohet për lindjen e një shteti palestinez me një vazhdimësi minimale territoriale. Për çfarë shërben pra një demokraci, nëse nuk arrin të prodhojë barazi, nëse nuk di të dallojë integralistët nga të moderuarit, dhe në fund i trajton të gjithë me të njëjtën intolerancë dhe padrejtësi të padallueshme?

Vetë përshkrimi i konfliktit izraelo-palestinez tingëllon si një provokim, sepse nga njëra anë ka një Shtet dhe një popull sovran, ndërsa nga ana tjetër ka një popull të pushtuar, pa asnjë Shtet të vërtetë akoma. Dhe pikërisht këtu arbitrat e superfuqishëm ndërkombëtarë duhet të rifillojnë të punojnë për të ndërtuar, dhe nëse është e nevojshme, të imponojnë një të ardhme bashkëjetese brenda dy Shtetet. Nderkohe, ata vazhdojnë, siç kanë bërë për dekada me radhë, të manipulojnë këtë konflikt për interesa financiare dhe për qëllimet e tyre të politikës së brendshme. Në të vërtetë, edhe vetëm për të imagjinuar një zgjidhje të mundshme, kuptohet se jemi futur në fushën e utopisë së pastër. Pasi askush nuk beson vërtet se është e mundur të shihet lindja e një shteti të Palestines vërtet sovran, me kufij të paprekshëm, me udhëheqësit e saj të zgjedhur demokratikisht, me ligjet e saj, kushtetutën e saj dhe madje me një kryeqytet të sajin. Dhe mbi të gjitha, me një popull të lirë, i pajisur me të drejtat e njëjta të paprekshme që i njihen fqinjëve të tij, dhe të njëjtat të drejta si të gjithë popujt e botës.

Pra, deri atë ditë do të vazhdojmë të shohim masakra të tjera dhe padrejtësi të tjera, duke e ditur që tani se do të biem në të njëjtën sagë hipokrizie të habisë dhe me sy të mbuluar do të vazhdojmë të ulërasim kundër gjakatarëve. Duke hequr dorë të kuptojmë se në atë tokë të shenjtë e të mallkuar, në realitet, janë të gjithë viktima. E të gjithë janë agresorë. (Shqiptarja.com)