Mero Baze
Presidenti i Francës Emanuel Macron shtyu pjesëmarrjen në Samitin e Berlinit në Tiranë, për shkak të një akti terrorist në Francë, dhe situatës në Lindje të Mesme ku duhet të merret me koordinimin me Egjiptin lidhur me situatën humanitare në Gazë. Por ai do të vijë nesër për vizitën e parë zyrtare të Presidentit të Francës në Shqipëri e cila është një ngjarje historike mes dy vendeve.

Shtyrja e udhëtimit të presidentit Macron në Tiranë, është një shembull i fortë, që tregon se sa relative është rëndësia e një Samiti evropian para një ngajrje të tmerrshme që ka lënë botën pa frymë, siç është sulmi terrorist i Hamasit në Izrael dhe kundërpërgjigja e Izraelit.

Samiti i Berlinit në Tiranë, në kuadrin e Procesit të Berlinit është iniciativa politike më e rëndësishme e Bashkimit Evropian për rajonin tonë e cila po hyn në vitin e saj të dhjetë. Ajo ka në qendër relativizmin e dialogut politik në rajon orientuar nga anëtarësimi në BE, dhe krijimin e një ritmi të ri nga BE për antarësimin e rajonit.
Por rajoni zien vetë nga kriza lokale. Më 24 Shtator një njësi terroriste paramilitare e Serbisë për pak sa nuk shkaktoi një ndezje të re lufte në Kosovë, dhe praktikisht ka ndërprerë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke e rikthyer situatën shumë pas dhe duke rrezikuar të hedhë në erë planin Franko-Gjerman të Ohrit.

Por edhe pse Presidenti francez është një nga dy autorët e këtij plani, atij ju desh ta lërë atë mënjanë para një situate më të rëndë në botë.
Dhe ky është një leksion i hidhur për rajonin tonë dhe veçanërisht për Kosovën, për të kuptuar se vëmendja e botës nuk është përjetësisht mbi ta. Ndodh që një ngjarje si kjo mes Hamasit dhe Izraelit, ta eklipsojë një ngjarje tjeter si ajo në Banjska, e cila në thelb është po akt terrorist, por në një rajon më të menaxhueshëm.

Pra ndodh që presidenti që është autor i planit të paqes për Kosovën dhe Serbinë, t’i lërë të presin dhe të merret me një problem edhe më të madh të botës.
Për fat ai do të jetë nesër për vizitën e tij të parë historike zyrtare në Shqipëri, si president i Francës, dhe natyrisht do flasë dhe për Kosovën.
Por është e qartë për këdo, se një nga autorët planit të paqes për Kosovën, u detyrua ta lërë atë në dorë të vartësve, për shkak të Izraelit dhe krizës në Lindjen e Mesme. Kjo duhet pasur gjithnjë në mendje, kur bëjmë sikur jemi në qendër të botës dhe kur mendojmë se të gjithë e kanë mendjen tek ne.