Më 1915, hebrenjtë vuanin nëpër shumë vende të botës. Babai dhe unë bashkëpunonim në aksione të ndryshme për ndihmë, punë kjo që edhe na afroi shumë. Sikur më vonë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, edhe gjatë Luftës së Parë Botërore, ndihmat më të mëdha të grumbulluara për hebrenjtë i siguroi Joint Distribution Commitee i sapoformuar. Për dallim nga aksionet evropiane për ndihmë gjatë Luftës së Dytë Botërore, këtë organizatë e udhëhoqën keq disa burokratë nga Nju-Jorku. Prandaj, organizata edhe u bë cak i kritikave të ashpra. Bashkësitë e hebrenjve socialistë prandaj vendosën të formojnë organizatën e tyre – People’s Relief Commitee. Babai dhe unë aderuam në këtë organizatë. Në organizatën e re babai përfaqësonte sindikatën e vet, ndërkaq unë isha përfaqësuese e një grupi të vogël letrar të punëtorëve-sionistë. Edhe pse më nuk më kujtohet emri pa dyshim fantastik i këtij grupi letrar, unë isha shumë aktive në të.

Nga fundi i luftës u themelua organizata e dytë e madhe hebraike; American Jewish Congress. Bundi (i themluar rishtazi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës) nuk kishte gjë kundër Kongresit, por kundërshtonte me gjithë forcën përcaktimin propalestinez të Kongresit. Më 1918, në të gjitha bashkësitë hebraike anekënd Amerikës, u mbajtën zgjedhjet për Kongres. Hebrenjtë e Amerikës për herë të parë organizuan zgjedhjet e veta. Por, ndodhën thyerje të mëdha. Sionistët tërhiqnin në njërën anë, bundistët – në tjetrën. Babai dhe unë morëm pjesë aktivisht në ato zgjedhje. Mendonim se Kongresi do të duhej të përcaktohej për sionistët.

Kuptuam se për fushatën zgjedhore hebraike vendi më i mirë është sinagoga në kuartin tonë. Gati se të gjithë shkonin vazhdimisht në sinagogë, sidomos gjatë festave të mëdha hebraike. Por, meqë në tubime guxonin të flisnin vetëm meshkujt, unë hipa mbi një sënduk druri para sinagogës. Nga aty u flisja njerëzve që ktheheshin për në shtëpitë e tyre mbi programin zgjedhor të punëtorëve-sionistë. Babai u hidhërua shumë. Duke më bërtitur, tha: – Vajza e Moshe Maboviçit nuk do të ekspozohet publikisht mbi sënduk. Ky është turp!

Puna e mësueses më bënte shumë të lumtur

Përpiqesha t’i tregoja se ma kishin dhënë këtë detyrë. Miqtë më prisnin në rrugë. Por, babai im ishte aq i hidhëruar sa që as nuk më dëgjonte. Filloi të ndërmjetësojë nëna. Në fund, asnjëri nuk lëshonte pe. Me fytyrë bojëxhaku nga nervoza, babai më tha se, nëse insistoj në këtë punë, do të më përciell dhe nga atje do të më tërheq zvarrë për flokë. Nuk dyshoja se do ta bëjë këtë. Marrë në përgjithësi, ai ishte njeri i fjalës. Por, përkundër kësaj, unë shkova atje. Në qoshe të rrugës, ua tërhoqa vërejtjen miqve të mi për fjalët e babait. U ngjita mbi sënduk sapunash dhe fola – jo pa frikë. Kur u ktheva në shtëpi, nëna më priti në kuzhinë. Më tregoi se babai kishte shkuar të flinte. Ai kishte qenë në tubimin ku fola në qoshe të rrugës sonë dhe kishte dëgjuar fjalimin tim. Dhe, fjalimi im aq shumë e kishte bërë për vete, sa që kishte harruar fare kërcënimin që ma kishte bërë. Asnjëri nga ne më nuk e zuri ngoje atë rast. Ai fjalim ishte më i suksesshmi që kam mbajtur ndonjëherë në jetë.

Në këtë kohë fillova të jap mësim. Punëtorët-sionistë kishin hapur në “Jewish Center” në Milvoki shkollën fillore hebraike me mësim të shtunën pasdite, të dielën paradite dhe një ditë tjetër të javës. Ligjëroja judishten: shkrim, lexim, pak letërsi dhe histori. Judishtja ishte për mua një nga lidhjet më të forta mes hebrenjve. Kjo punë më bënte shumë të lumtur. Për këtë nuk isha aftësuar në Normal School në Milvoki, por isha e lumtur se disa nga fëmijët hebraikë të këtij qyteti do të mund t’i njoftoja me letrarët e mëdhenj të judishtes, me të cilët mburresha aq shumë. Gjuha angleze është vërtetë gjuhë e mirë, por judishtja është gjuhë e rrugicave hebraike, e folme e natyrshme, e ëmbël dhe e afërt që bashkon një popull të shkapërderdhur. Në atë kohë, nuk lejoja ta kundërshtonte dikush judishten. Për mua, nuk kishte krim më të madh kur ndonjë fëmijë përziente judishten me anglishten. Zaten, një kohë kam menduar se edhe hebrenjtë në Palestinë do të duhej të kishin dy gjuhë: hebraishten dhe judishten. Mendoja se si mund të jetohet atje pa judishte. Kur punëtorët-sionistë deshën ta fusin në shkollë edhe një klasë me mësim në gjuhën angleze dhe më lutën që ta marr unë, assesi nuk pranova. Nëse dikush dëshiron t’i takojë Poale-Cionit, atëherë, më së paku, duhet të njohë judishten.

Protesta e Milvokit në mbrojtje të hebrenjve të Evropës

Më vonë u pa se më mirë do të ishte të isha marrë me hebraishten, por kush e dinte këtë në atë kohë. Kur, në fund, shkuam në Palestinë, natyrisht se mësova hebraisht, por hebraishtja ime kurrë nuk ishte aq e mirë sa judishtja.

Më dëshirë jipja mësim në shkollën fillore. I doja fëmijët, por edhe ata më donin mua. Kisha bindjen se jam në vend të vërtetë.

Menjëherë pas luftës, kur në Ukrainë dhe në Poloni shpërthyen përndjekjet antisemitike (në Ukrainë, përgjegjësi më i madh për to ishte komandanti famëkeq i armatës ukrainase, Simon Petlura, njësitë e të cilit zhbënë bashkësi të tëra hebraike), ndihmova organizimin e marshit protestues përgjatë njërës nga rrugët kryesore në Milvoki.

Pronari hebraik i shtëpisë së madhe të mallrave në Milvoki kishte marrë vesh për planet e mia dhe kishte kërkuar t’i paraqitesha. – Kam dëgjuar se dëshironi të organizoni demonstrata në “Washington Avenue”? – më pyeti. – Dëshiroj t’ju bëj me dije se nëse e bëni këtë, do ta braktis qytetin! – më tha. I thashë se nuk kam gjë kundër nëse ai braktis qytetin, se marshi do të mbahej me çdo kusht. Aspak nuk më interesonte ajo se çfarë do të mendonin apo se çfarë do të thonin njerëzit. Hebrenjtë nuk do të duhej të turpëroheshin nga kjo. Përkundrazi, duke shfaqur simpatinë tonë ndaj hebrenjve të Evropës, të cilët persekutoheshin dhe vriteshin, do të fitonim simpatinë dhe përkrahjen e gjithë qytetit.

Marshi ishte shumë i suksesshëm dhe në të morën pjesë qindra vetë. As që e kam ditur se në Milvoki ka aq shumë hebrenj. Më befasoi pjesëmarrja aq e hamdhe e johebrenjve. I shikoja njerëzit në sy dhe në ta shihja simpatinë ndaj nesh. Në atë kohë nuk kishte shumë marshe protestuese. Fituam publicitet në tërë Amerikën. Këtu sigurisht do të duhej të theksoja se në Milvoki nuk kam hetuar asnjëherë çfarëdo antisemitizmi, edhe pse jetoja në mjedis hebraik dhe në shkollë e jashtë saj takohesha gati vetëm me hebrenj. Natyrisht se kam pasur edhe miq johebraikë, sikundër që do t’i kem gjatë gjithë jetës. Zaten, ata nuk më ishin kurrë aq të afërt sa hebrenjtë, por me ta e ndjeja veten shumë mirë dhe shumë të lirë.

Me 17 vjet më pranuan në Partinë Laburiste sioniste

Derisa atë ditë marshonim nëpër qytet, m’u bë e qartë se më nuk mund ta shtyej vendimin tim përfundimtar sa i përket shkuarjes në Palestinë. Pavarësisht nga ajo se sa do të ishte e vështirë kjo për më të dashurit e mi, duhej të vendosja se ku do të jetoja përfundimisht. Kuptova se përgjigjja e vetme dhe më e drejta kundër bandave vrastare të Petlurinit nuk ishin demonstratat në Milvoki, por Palestina. Hebrenjtë sërish duhet të kenë tokën e vet, ndërsa unë duhet të ndihmoj që ajo të ngritet. Dhe, në vend se të mbaj fjalime dhe të mbledh para, duhet të jetoj dhe të punoj atje.

Kështu, zyrtarisht aderova në Partinë Laburiste të sionistëve Poale-Cion dhe bëra hapin e parë në drejtim të Palestinës. Në atë kohë, sionistët laburistë nuk kishin organizatë rinore. Sipas statutit partiak, anëtarë të partisë mund të bëheshin vetëm personat mbi moshën 18 vjeç. Unë isha shtatëmbëdhjetë vjeç, por anëtarësia e dinin se kush jam dhe lejuan të pranohem në parti. Në kët kohë m’u desh ta bind Morrisin të vijë me mua në Palestinë, ngase ishte e pakuptueshme të mos ishim bashkë. Por, edhe po të ishte ai gati të vinte me mua, duhej të prisnim edhe një vjet a dy që të kursenim para për rrugë. Morrisi duhej ta dinte, para se të martoheshim, vendosmërinë time për të jetuar në Palestinë. Nuk i vura ultimatum, por ia shpjegova konceptet e mia. Dëshiroja shumë të martohesha për të, por njëkohësisht isha shumë e vendosur për të shkuar në Palestinë. – E di që nuk dëshiron sa unë të jetosh në Palestinë – i thashë – por të lus të vish me mua. Morrisi gjithashtu m’u përgjigj se më do shumë, por se dëshiron të mendojë për të gjitha dhe në fund të gjejë një zgjidhje sa i përket shkuarjes në Palestinë. Morrisi ishte i mençur dhe shihte se, në disa çështje, kemi pikëpamje të ndryshme dhe këto dallime mes nesh do të mund të ishin shumë të rëndësishme një ditë.

Deklarata e Balfourit vuri gurthemelin e shtetit hebraik në Palestinë

U ndamë për një kohë. Braktisa shkollën, e cila, për çudi, humbi për mua atë rëndësinë e madhe që ia kushtova në fillim. Shkova në Çikago ku nisa të punoj në një bibliotekë publike, pasi që edhe në Milvoki kisha punuar për pak kohë si bibliotekiste. Shejna, Shamaji dhe dy fëmijët e tyre gjithashtu u transferuan në Çikago. Shamaj punonte atje në një gazetë hebraike. Edhe Regina erdhi në Çikago. Shpesh i takoja edhe pse jetoja te një shoqe tjetër. Isha gjithçka, pos e lumtur. Sëmuresha kur më shkonte ndërmend se duhej të zgjidhja Morrisin apo Palestinën. U tërhoqa dhe gjatë kohës së lirë punoja për punëtorët-sionistë. Mbaja fjalime, organizoja tubime, mblidhja para.

Edhe pse Morrisi ende kundërshtonte shkuarjen tonë në Palestinë, për fat kuptoi se jeta atje është shumë tërheqëse dhe definitivisht u tregua i gatshëm të vijë me mua. Pa dyshim se në vendimin e tij kishte ndikuar deklarata e qeverisë britanike, e vitit 1917, se ajo mbështet “krijimin e atdheut nacional për popullin hebraik në Palestinë” dhe se qeveria britanike do të kujdesej që “të lehtësonte arritjen e këtij qëllimi”. Deklarata e Balfourit – u quajt kështu ngase u inicua nga Arthur James Balfour, ministër i atëhershëm i Punëve të Jashtme të Britanisë – u botua si letër e lordit Balfour dërguar lordit Rothschild. Në të njëjtën kohë, trupat britanike të prira nga gjenerali Allenbye filluan ta pushtojnë Palestinën nga turqit. Zaten, mënyra e paqartë e theksimit të kësaj deklarate, viteve të mëvonshme fshehu në vetvete gjakderdhje të madhe, por sionistët e përkrahën këtë deklaratë sepse ajo më në fund vuri gurthemelin e shtetit hebraik në Palestinë. Kuptohet se edhe unë isha e lumtur për zgjidhjen që mëtohej. Përndjekjes së hebrenjve po i afrohej fundi dhe Morrisi e unë do të ishim mes miliona njerëzve që do t’ia mësynin Palestinës.