E përlotur Dojna Mema ka lexuar në emisionin investigativ ‘Piranjat’ një letër nga 26-vjeçarja, teksa viktima qëndronte në studio, me shpinë të kthyer nga kamera. Gjendja e saj e rënduar emocionale lexohet në letër dhe në gjuhën e trupit të së resë. Ajo bën apel që autorët të marrin dënimin e merituar teksa thekson se vuan fort opinionin publik.

Letra e vajzës së dhunuar:

Kam vendosur të dal sonte këtu pa fytyrë për shkak të opinionit të njerëzve por jo se jam me faj. Çfarë ka ndodhur e kam treguar aq sa kam qënë e vetëdijshme, nuk gënjej sepse akoma e kam para syve çdo gjë. U zgjova në spital dhe nuk pashë nënë time, por nënën e dikujt tjetër. Edhe pse isha e përgjumur nuk më pyeti se si jam por më tha tërhiq çdo gjë që ke thënë dhe unë normal që kam frikë që ata kanë njohje kanë lekë dhe njohin njerëz ndërsa unë vij nga një familje e thjeshtë që jeton në fshat, por nuk do shkelin kurrë dinjitetin tim siç u munduan të ma shkelin. Do vazhdoj të them të vërtetën kokën do ta mbaj lart edhe për ata që më shajnë dhe më kërcënojnë, kurrë nuk do të ndodhë me dëshirë ajo gjë prandaj do të bërtas për të vërtetën time.

Përdhunuesit të marrin atë që meritojnë dhe unë atë që meritoj. Këto ditë kam marrë me mijëra mesazhe mbështetëse nga njerëz që nuk i njoh, i falënderoj.