Kampioni shqiptar i karatesë, Alvin Karaqi mori “Yllin e Mirënjohjes Publike” të akorduar nga kryeministri Edi Rama. Në ceremoninë e zhvilluar këtë të martë, Karaqi meritoi mirënjohjen pasi në qershorin e këtij viti fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian të Karatesë zhvilluar në Poloni, duke nderuar himnin shqiptar dhe ngritur sipër flamurin kuqezi.
Në finalen e 23 qershorit 2023, Karaqi triumfoi ndaj holandezit Brian Timmermans, me rezultatin 3:2, për të ngritur flamurin kuqezi dhe marrë medaljen e artë.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama tha se Karaqi është një shembull që fle dhe zgjohet me idenë sesi të bëjë mjekun e mirë në Zvicër dhe sesi të ngrejë flamurin kuqezi në karate.
“Është një shembull i jashtëzakonshëm për të gjithë, vajzat dhe djemtë e Atdheut tonë. Alvini është një kampion që ka një veçanti të madhe, ndërkohë që ngjitet në majën e sportit të tij, është edhe një shërbëtor i palodhur i shëndetit të njerëzve në Zvicër, ku standartet janë nga më të lartat në botë. Në këtë të dytën nuk ka medalje, por jam i bindur që edhe sikur të kishte, nuk do ishte çudi që Alvini edhe aty të merrte medalje ari. Është një shembull frymëzues për këdo, që në rrugë e pasionit duhet të sakrifikojë, paçka mundit dhe vështirësive. Jeton, merr frymë dhe ushqehet me idenë për t’u ngjitur në majë dhe të jetë fitimtar. Dashuria e tij pasionante për atdheun dhe të jetuarit me flamurin kuqezi, si një lëkurë të dytë, kjo e shënon Alvini”, tha Rama.