Komuniteti i prokurorëve ka reaguar pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani, i cili deklaroi Laert Haxhiu kishte planifikuar të vriste dy prokurore dhe një avokat.
Përmes një reagimi, prokurorët u shprehën ngjarje të tilla nuk do të lëkundin aspak angazhimin e plotë të prokurorëve për vijimin e pandërprerë të ushtrimit të detyrës, me qëllim vënien përpara përgjegjësisë penale të kujtdo që është subjekt i një vepre penale apo veprimtarie kriminale.
Prokurorët thonë se segmente të caktuara të jetës publike, politike, mediatike e më gjerë, të cilët, jo pak herë, shpërfillin publikisht normat bazë të respektimit të funksionit dhe figurës së magjistratit në një shoqëri demokratike, duke krijuar një klimë që frymëzon sulme personale ndaj magjistratëve.
Reagimi i plotë i Komunitetit të prokurorëve
Komuniteti i prokurorëve, ashtu sikurse edhe mbarë opinioni publik, është njohur ditët e fundit me rezultatet paraprake të një procedimi penal, të cilat tregojnë deri në këtë fazë të hetimit, se individë dhe grupe kriminale me rrezikshmëri të theksuar shoqërore në vend, kanë ndërmarrë hapa konkretë në funksion të realizimit të planeve për eleminimin fizik të dy prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, për shkak të angazhimit të tyre në hetimin e veprave të rënda penale. Duke shprehur mbështetjen dhe solidaritetin njerëzor për kolegët prokurorë, si dhe veçanërisht për anëtarët e familjeve të tyre, tek të cilët më së shumti rëndojnë padrejtësisht zhvillime të tilla, të vetëdijshëm për rolin dhe funksionin kushtetues të prokurorit, gjejmë rastin të shprehim përpara opinionit publik qëndrimin e unifikuar, se ngjarje të tilla nuk do të lëkundin aspak angazhimin e plotë të prokurorëve të Republikës së Shqipërisë për vijimin e pandërprerë të ushtrimit të detyrës me kurajo, dinjitet, profesionalizëm dhe motivim, me qëllim vënien përpara përgjegjësisë penale të kujtdo që është subjekt i një vepre penale apo veprimtarie kriminale.
Duke konstatuar dhe vlerësuar maksimalisht shqetësimin e shprehur dhe solidarizimin masiv të opinionit publik në lidhje me rastin, jemi të sigurt se zhvillime të tilla vetëm sa e përforcojnë edhe më shumë qëndrimin dhe ndërgjegjen e shoqërisë shqiptare për distancimin me indinjatë nga ata individë apo grupe kriminale që minojnë në përgjithësi rendin e sigurinë publike, apo zhvillimin e qenësishëm demokratik, social e ekonomik të vendit. Shpresojmë që momente të tilla të shërbejnë si reflektim edhe për segmente të caktuara të jetës publike, politike, mediatike e më gjerë, të cilët, jo pak herë, shpërfillin publikisht normat bazë të respektimit të funksionit dhe figurës së magjistratit në një shoqëri demokratike, duke krijuar një klimë që frymëzon sulme personale ndaj magjistratëve, të lidhura ngushtësisht me detyrën. Së fundmi, ftojmë dhe inkurajojmë të gjithë aktorët e komunikimit publik në vend, që të kontribuojnë në ravijëzimin e një qasjeje të re më konstruktive dhe besimplotë karshi sistemit të drejtësisë, si premisa për garantimin dhe jetësimin e parimeve të një shteti të së drejtës.