Gjashtë ushtarakë shqiptarë të Forcave të Armatosura do t’i bashkohen misionit dy-vjeçar të NATO-s në Irak, për trajnimin e personelit të Kolegjit të Shtabit të FA në Bagdad. Këshilli i Ministrave ka dhënë dritën jeshile që ushtarakët t’i bashkohen operacionit të Aleancës për një periudhë 15-ditore, për të dhënë kontribut në trajnimin e personelit në fushën e procesit të planëzimit operacional, procesin e vendimmarrjes ushtarake, trajnimin për sigurinë kibernetike, si dhe edukimin për dhënien e ndihmës së parë. “Transportimi i personelit, që do të shërbejë në Irak, ndërsa nis, ndryshon dhe përfundon detyrën, për t’u kthyer në Shqipëri, mbështetja shëndetësore, akomodimi, ushqimi, lavanderia, transportimi i individëve të shkëputur nga misioni për në atdhe në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave “me përjashtim të rasteve kur do të arrihet nënshkrimi i marrëveshjeve dy- ose shumëpalëshe, ku pala tjetër merr përsipër të përballojë këto shpenzime”.
Vendimi i Këshillit të Ministrave:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave.
V E N D O S I:
Dërgimin me mision të 6 (gjashtë) ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në operacionin e NATO-s në Irak (NMI), në Bagdad, Irak.
Misioni i ushtarakëve është trajnimi i personelit të Kolegjit të Shtabit të Forcave të Armatosura në Bagdad, Irak, dhënia e kontributit në trajnimin e personelit në fushën e procesit të planëzimit operacional, procesin e vendimmarrjes ushtarake, trajnimin për sigurinë kibernetike, si dhe edukimin për dhënien e ndihmës së parë.
Kohëzgjatja e këtij misioni është deri në 2 (dy) vjet. Periudha e qëndrimit në mision do të jetë 15 (pesëmbëdhjetë) ditë, periudhë së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për dorëzimin e detyrës dhe vonesat për transportin strategjik.
Ministria e Mbrojtjes, për personelin pjesëmarrës në këtë operacion, përballon shpenzimet për:
a) dieta për ditët e qëndrimit, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;
b) sigurimin e jetës;
c) siguracion shëndetësor jashtë zonës së operacionit;
ç) mbështetje shëndetësore;
d) shpenzime për telefon, internet dhe shërbime postare;
dh) transportimin e individëve të shkëputur nga misioni për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline;
e) çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së misionit.
Transportimi i personelit, që do të shërbejë në Irak, ndërsa nis, ndryshon dhe përfundon detyrën, për t’u kthyer në Shqipëri, mbështetja shëndetësore, akomodimi, ushqimi, lavanderia, transportimi i individëve të shkëputur nga misioni për në atdhe në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, me përjashtim të rasteve kur do të arrihet nënshkrimi i marrëveshjeve dy- ose shumëpalëshe, ku pala tjetër merr përsipër të përballojë këto shpenzime. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.