Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se dokumentacioni i konfiskuar nga Policia e Kosovës ka konfirmuar se sulmi terrorist ishte pjesë e një plani më të madh për të aneksuar veriun e Kosovës.
Sipas tij ky plan do të ishte në bashkëpunim përmes një sulmi të koordinuar në 37 pozicione të dallueshme.
“Do të pasonte krijimi i një korridori për në Serbi, për të mundësuar furnizimin me armë dhe trupa”, ka shkruar Kurti në platformën ‘X’.
Dje në një konferencë për median, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla bashkë me drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha prezantuan pamje të nxjerra nga dronët e sekuestruar, që tregonin se sulmuesit serbë duke u përgatitur disa ditë para sulmit të 24 shtatorit. Ai tha se provat e paraqitura me video dëshmojnë “përgatitjet e këtij grupi nga shteti i Serbisë në qtesiendrat zyrtare të trajnimeve”.
Gjithashtu u publikua edhe videoja që tregon momentin e vrasjes së oficerit Afrim Bunjaku, nga grupi terrorist serb që organizoi sulmin në komunën e Zveçanit.
Më 24 shtator, grupe të armatosura terroriste të mbështetura nga Serbia, sulmuan forcat policore të Kosovës në Banjskë nga i cili sulm u vra rreshteri policor i Kosovës, Afrim Bunjaku. Gjatë sulmit u vranë dhe 3 terroristë serbë.
Ndërkohë Britania e Madhe do të dërgojë trupa shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, me kërkesë të kësaj të fundit, pas sulmit vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit javën e kaluar.
Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe njoftoi të dielën se do t’i zhvendosë rreth 200 trupa shtesë në kontingjentin e saj në Kosovë, i cili ka tashmë 400 ushtarë britanikë, në ditët në vijim.