Milojko Spajiç, kryetari i Lëvizjes centriste “Evropa Tani (PES)” në mëngjesin e së martës është zgjedhur kryeministër i ri i Malit të Zi.

Qeveria që do ta drejtojë eksperti financiar Spajiç, përbëhet nga një koalicion partish që janë të deklaruara pro evropiane, dhe atyre pro serbe.

36 vjeçari në këtë pozitë erdhi pas fitores në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, ku arriti që të marrë numrin më të madh të votave të qytetarëve malazezë. Mirëpo, përkundër kësaj fitore, ai nuk e kishte shumicën e thjeshtë për ta formuar qeverinë i vetëm.

Në këtë drejtim, ai bëri negociata me partitë tjera në Mal të Zi, për të siguruar kështu mbështetjen e mbi 41 deputetëve, nga 81 sa i ka gjithsejtë kuvendi malazez.

Koalicioni qeverisës përbëhet Lëvizja “Evropa Tani”, koalicioni “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro ruso-serb, Demokratët, Partia Popullore Socialiste dhe paritë shqiptare.

Lëvizja “Evropa Tani”, që do të udhëheqë me ekzekutivit e 44-të malazez, është një parti e qendrës së djathtë, ndërsa e përshkruan veten si një lëvizje e fokusuar në ekonomi dhe kundër korrupsionit.

Ata përkrahin anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, teksa edhe anëtarësimin në NATO e kanë konsideruar si një lëvizje të duhur.

PES, apo konkretisht lideri i saj Spajiç, e ka dënuar pushtim rus në Ukrainë, të cilin ai e konsideron një agresion, dhe ka shprehur mbështetjen e tij për sanksionimin e Rusisë.

Po ashtu, Spajiç është i qartë edhe sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ndryshe nga disa nga partnerët e tij qeverisës, ai e konsideron si një çështje të mbyllur, madje në një deklaratë të tij kishte thënë se kjo është “një nga temat prapa nesh”.

Gjithashtu, ai është ithtar i marrëdhënieve të ngushta mes Malit të Zi dhe Serbisë.

Në ekspozenë e tij lexuar para deputetëve ai theksoi se “vizioni ynë është Mali i Zi si Zvicra e Ballkanit dhe Singapori i Evropës”.

Por kush është Milojko Spajiç?

Miljko Spajiç është i diplomuar për Ekometri dhe Ekonomi Sasiore në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Shkencave Ekonomike Saitama në Japoni – ku kishte shkuar si bursist i qeverisë japoneze.

Pas shkollimit, ai punoi në Tokio dhe Singapor, në korporatat bankare globale Citi Bank dhe Goldman Sachs, dhe më pas ai ishte partner i një fondi Venture Capital në Singapor, ndërsa angazhimi i tij politik do të fillonte vetëm para tri viteve.

Spajiç e filloi karrierën e tij politike si një politikan jopartiak. Gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020 ishte anëtar i ekipit të ekspertëve të Zdravko Krivokapiç.

Për kthimin e tij në Mal të Zi, pasi që kishte studiuar dhe punuar jashtë vendit, ai thoshte se kishte disa arsye.

Ai kishte qenë lobues dhe përkrahës i marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe, e nënshkruar nga ish-kryeministri malazez Dritan Abazoviç dhe patriarku serb Porfirije – e cila i kishte kushtuar Abazoviç-it me mocion mosbesimi.

Detyra e parë e Spajiç-it në ekzekutivin malazez do të ishte ajo e Ministrit të Financave dhe Mirëqenies Sociale, në kabinetin e Krivokapiç-it.

Gjatë mandatit të tij si ministër, Spajiç dhe Ministri i Ekonomisë Jakov Milatoviç – tani president i Malit të Zi – prezantuan dhe zbatuan programin e diskutueshëm të reformës ekonomike “Evropa Tani” – cka do të bëhej edhe emri i partisë që do ta krijonin së bashku.

Pas një krize politike malazeze, kryeministri Kripovakiç nisi një iniciativë për shkarkimin e zëvendëskryeministrit Abazoviç, dhe emrin që dërgoi si zëvendësim të tij ishte pikërisht Spajiç.

Krijimi i Lëvizjes “Evropa Tani”

Në vitin 2022, Spajiç dhe Milatoviç themeluan partinë politike “Evropa Tani (PES)”.

Kryetar i saj u zgjodh Spajiç, ndërsa zëvendëskryetar Milatoviç. Për herë të parë do merrnin pjesë në zgjedhjet lokale të vitit 2022.

Spajiç kishte tentuar që të kandidonte për President të Malit në Zi, në garën zgjedhore presidenciale të vitit 2023, kundrejt veteranit të politikës malazeze Milo Gjukanoviç, por kandidatura e tij ishte refuzuar nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor.

Ky vendim ishte marrë pasi që ishte zbuluar se ai kishte nënshtetësi të dyfishtë, atë malazeze dhe serbe. Pasi u mor vesh dyshtetësia e tij, Spajiç theksonte se ishte bërë shtetas i Serbisë në vitin 2009 dhe se procesi i heqjes dorë nga kjo shtetësi ishte në proces.

Më vonë ai deklaroi se pranoi nënshtetësinë serbe në mënyrë që të mund të udhëtonte në Japoni – aty ku edhe ka studiuar – pa vizë. Në vend të tij, kandidoi Milatoviç, i cili mundi Gjukanoviç-in në balotazh pasi mori besimin e 58, 88 për qind e qytetarëve malazezë.

Spajiç do të caktohej që të ishte bartës i listës zgjedhore të partisë që e udhëheqë në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit.

Gjatë fushatës zgjedhore, ndaj tij do të kishte akuza nga Abazoviç dhe Ministri i Brendshëm Filip Adziç, për lidhje me “mbretin e kriptovalutave Do Kwon, i cili u arrestua në Mal të Zi në mars 2023.

Sipas Abazoviç, Do Kwon dërgoi një letër nga burgu i cili iu drejtua atij, Adiç-it, ministrit të drejtësisë Marko Kovaç dhe prokurorit kryesor Vladimir Novoviç, duke i informuar ata për lidhjet e tij me Spajiç-in. Ndërsa nga PES i mohuan këto akuza.

Në zgjedhjet e 11 qershorit PES fitoi rreth 25% të votave popullore, duke fituar shumicën e vendeve në Parlamentin e Malit të Zi.

Më 10 gusht 2023, Presidenti Jakov Milatoviç i dha Spajiç-it, si fitues i zgjedhjeve, mandatin për të formuar qeverinë e re.