Policia e Lushnjës ka marrë në mbrojtje ish-prokuroren e Lushnjës Merita Selimi, emri i së cilës doli nga dëshmia e Artan Tafanit si person i drejtësisë që do ekzekutohej nga grupi i Laert Haxhiut.

Në vijim do ketë vendim se si do procedohet. Policia do e shoqërojë kudo ku do të jetë në lëvizje.

Në rrethin e shënjestrës së Laert Haxhiut ishte edhe ish-prokurorja e Lushnjës, Merita Selimi, e shkarkuar nga vetting në korrik 2023.

Ajo hetoi Haxhiun, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin për masakrën e vitit 2017, ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën Bujar Turku dhe Marjus Xhepexhiu. 2 vite hetime dhe më pas Selimi shpalli moskompetencë për dosjen, duke ia kaluar SPAK dhe prokurores Doloreza Musabelliu, ku aktualisht ka dënuar me burgim të përjetshëm Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, ndërsa ka ende në fazë gjykimi Laert Haxhiun, i paekstraduar akoma nga Greqia.

Më herët, autoritetet shqiptare morën në mbrojtje prokuroren e SPAK-ut, Doloreza Musabelliu, me kërkesë të kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.

Vendimi është marrë sërish pas dëshmisë së Tafanit se Haxhiu dhe banda e tij po planifikonin t’i bënin atentat.