Papa Françesku u bëri thirrje për përmbajtje palëve ndërluftuese në Lindjen e Mesme, duke kërkuar heqjen e bllokadës së Rripit të Gazës për hir të civilëve dhe lirimin e menjëhershëm të dhjetëra pengjeve izraelitë të mbajtur nga Hamasi.
“Lutem për ato familje që panë një festë të shndërrohej në ditë zie dhe kërkoj lirimin e menjëhershëm të pengjeve”, tha Papa në mesazhin e tij javor, raporton Reuters.
Duke iu referuar përgjigjes së Izraelit ndaj Hamasit, Papa tha: “Është e drejta e atyre që sulmohen të mbrohen, por unë jam shumë i shqetësuar për rrethimin total nën të cilin jetojnë palestinezët në Gaza, ku ka pasur edhe shumë viktima të pafajshme.”
Kreu i kishës katolike theksoi se terrorizmi dhe ekstremizmi ushqejnë urrejtjen, ndërsa dhuna dhe hakmarrja shkaktojnë vuajtje për të gjithë.
Kujtojmë se një ditë më parë, u njoftua se Papa ishte në kontakt të vazhdueshëm me priftërinjtë katolikë në Lindjen e Mesme, të cilët e mbajnë atë të informuar për atë që po ndodh në rajon.
Veçanërisht prifti i famullisë së Gazës Gabriel Romanelli ka marrë dy telefonata nga Papa Françesku që nga fillimi i ndërluftimeve të shtunën.