Sopranoja e njohur Ermonela Jaho ishte i ftuara i episodit të katërt në sezonin e dytë të podcastit “Flasim”, të kryeministrit Rama, ku rrëfeu si kurrë më parë sfidat që ka hasur gjatë karrierës së saj, rëndësinë e njerëzve që e kanë nxitur të ndjekë ëndrrat dhe “luftën” e bërë për të mos i braktisur kurrë këto të fundit.

Sipas saj dëshira për të realizuar ëndrrat, të cilat i kishte listuar në një dituar me ide të qarta se nga ku do të niste dhe se ku donte të arrinte e bënë sopranon e njohur të realizonte një e nga një të gjitha ato që kishte shkruar.

“Nuk ka formulë, të them të drejtën, pa bërë shumë histori. Formula e vetme është diçka e brendshme, është ajo energjia, ajo flaka që secili prej nesh ka kur i vë qëllim vetes. Me një punë të jashtëzakonshme sepse dhe ëndrra më e bukur, edhe ajo që duket diçka e jashtëzakonshme, le të themi, do një punë shumë të madhe sepse po të kapeshin ëndrrat kaq kollaj, nuk do të kishin këtë magji. Unë e kam dashur jashtë mase. Ndoshta me kalimin e kohës kam kuptuar që këndimi ka qenë kanalizimi ku unë kanalizoja ato ndjenjat e mia të thëna, të pathëna ku fantazia fluturon dhe nuk ka limit. Të jem shumë e sinqertë, tani po e them, unë kam mbajtur një ditar, një ditar si do doja unë, domethënë ajo ëndrra që fillonte diku, pikërisht që këtu, në Pallatin e Pionerëve e të tjerë e deri që në një ditë do doja të këndoja Traviatën në La Scala, Desdemona e Otello e të tjerë në të gjithë teatrot e botës. Një lloj çmendurie, por ishte kjo fantazia që e kisha bërë në një listë; do arrij këtu, do bëj këtë, do bëj atë dhe e kam sot e kësaj dite këtë ditar”, tha Jaho.

Teksa foli për figurat që e ndihmuan në fillim të karrierës, sakrificat pas suksesit dhe pritshmëritë për profesionin, me të cilin tani ka prekur kulmin skenik, Ermonela Jaho zbulon dy njerëzit që besonin po aq sa ajo në ëndrrat e saj.

“Realiteti tjetër, kur shkoja në lice, siç e përmendët dhe ju, kishte një lloj pabesueshmërie, i vetmi që më besonte ishte im vëlla dhe babi që ndoshta ngaqë donte që unë të fluturoja me ëndrrat e mia, të mos ndalonte thjesht tek ato gjërat që ishin pak të kufizuara e që sot them që të rinjtë i kanë mundësitë. Për shembull, të kishe një klasë me pianoforte ishte e pamundur kur studioja unë në Lice, madje unë mbaj mend që zgjohesha që në 5 të mëngjesit, kush ngrihej i pari me pastruesen të hapte derën e Liceut dhe kush arrinte i pari të kapte një klasë me pianoforte. Ndonjëherë, kur dera ishte e mbyllur, hipja nga dritarja, nja dy herë kam grisur pantallonat, por ishte ajo dëshira e madhe.

Nuk ka asgjë që të ndalon sepse e doja, ishte një nevojë shpirtërore. Ky ishte realiteti që prekja me dorë dhe realiteti i bukur ajo fantazia, ajo energjia që unë po e shikoja, po e vizatoja, po projektoja ku do arrija.

Duke u kthyer tani, e lexoj, ky është një Notebook që janë bërë ato faqe sikur ka një histori shekullore, por është sepse është shkruajtur në çdo lloj momenti, kur kam qarë, kur kam qenë e trishtuar, e gëzuar, kur kam qenë me bukë në dorë duke shkruar dhe kur e lexoj tani prekem, por dhe jam shumë krenare sepse të gjitha, sikur është kthyer bota nga ana tjetër, të gjithë ato gjëra që kisha shkruar në fantazi e sipër, të gjitha i kam kaluar”, tha sopranoja e njohur.