Sheshi i Derviçanit do të mbajë emrin e ish kryeministrit grek Konstantinos Mitsotakis, kryeministrit të parë grek që e vizitoi Dropullin.
Kryeministrit Edi Rama e përshkroi gjatë historinë e këtij politikani, djali i të cilit Kyriakos sot është kryeministër i Greqisë. Dhe teksa dy vendet kanë një tension mes tyre pas arrestimit të Fredi Belerit, për Ramën Konstantinos Mitsotakis vjen në vendin e duhur në kohën e duhur.
‘Rikthimi i tij në këtë shesh sot, mendoj se është një rikthim i duhur, në vendin e duhur, por edhe në kohën e duhur i një njeriu të duhur, për të mishëruar me praninë e vetë të përjetshme lidhjen e pandashme të minoritetit grek me Greqinë. Do kisha dëshiruar shumë që sot të ishte këtu dhe Kiriakos Mitsotakis, djali i Kostandinosit, kryeministri i sotëm i Greqisë dhe miku im i dashur, por me siguri dhe ai do të rikthehet në këtë shesh, aq më tepër që ua ka premtuar.’- tha Rama.
Edhe pse në sheshin e Dropullit nuk u shfaq asnjë flamur shqiptar, Kryeministri Rama tha se minoriteti grek është kurora e artë e bashkëjetesës së minoriteteve në vend dhe sherret e lindura nga politikat elektorale do të tejkalohen.
‘Ju e dini po ashtu se jeni për Shqipërinë një pasuri e çmuar, një lidhje e pandashme mendjesh e zemrash mes popujve, e cila, nuk dobësohet dot, kur politika hyn në mes tyre së prapthi me tekat dhe arsyet e mos arsyes së saj. Politika elektorale me nevojat e saj trazon edhe rrjedhën e natyrshme të vëllazërisë së plazmuar qysh në lindjen e kohërave mes fqinjëve si Shqipëria dhe Greqia. Herë më lehtë dhe herë më vështirë kalojnë dhe sherret dhe keqkuptimet mes vëllezërish që jetojnë në shtëpi të ndryshme.’- u shpreh kreu i qeverisw.
Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe Dimitris Avramopulos, ish kryebashkiaku i Athinës dhe ish ministër i jashtëm të cilin Rama prezantoi si politikanin frymëzues kur ishte në krye të bashkisë së Tiranës.
Pas Dropullit, Kryeministri Edi Rama zbriti në Gjirokastër, ku inspektoi punimet për ndërtimin e Sheshit të Çerçiz Topullit, projekti transformues i kësaj hapësire të qyteti.