Kombëtarja shqiptare e futbollit ka fituar sot me shifrat 3-0 ndaj Çekisë dhe ka hedhur hapin më të rëndësishëm drejt kualifikimit në Euro 2024. Tashmë kuqezinjtë kryesojnë grupin me 13 pikë dhe më 4 pikë diferencë ndaj ndjekëses më të afërt që është Polonia.
Dhe sigurisht, tani mund të bëhen më lehtësisht llogaritë dhe të gjitha kombinimet e mundshme që çojnë kuqezinjtë në Europian. Për të qenë matematikisht të sigurt në Gjermani në verën e ardhshme, djemve të drejtuar nga Silvinjo u mjafton vetëm një pikë në dy ndeshjet e mbetura.
Kjo për faktin se në çfarëdo lloj kombinimi rezultatesh të sfidave të tjera, është e pamundur që të gjitha ekipet ndjekëse të bëjnë më shumë se 14 pikë. Dhe duke pasur parasysh se me Çekinë dhe me Poloninë kemi golavarazh më të mirë në ndeshjet direkte, Shqipëria do të shkonte qetësisht në fazën tjetër të turneut edhe me të njëjtat pikë me ta.
Kjo është llogaria më e thjeshtë e mundshme, pasi ka edhe të tjera sa i përket kualifikimit me pikët aktuale, nëse humben të dy ndeshjet e fundit. Por me formën që po tregon skuadra kuqezi, kjo hipotezë duket thuajse e pamundur. Përkundrazi, janë shumë më të mëdha shanset që ta mbyllim grupin si ekipi kryesues.
NDESHJET E MBETURA
12 tetor
Çeki-Ishujt Faroo
Poloni-Moldavi
17 nëntor
Moldavi-Shqipëri
Poloni-Çeki
20 nëntor
Shqipëri-Ishujt Faroe
Çeki-Moldavi