Personat e armatosur hynë nga ajri, deti dhe toka. Ata qëlluan mbi civilët, morën pengje dhe detyruan familje të Izraelit të barrikadoheshin brenda shtëpive të tyre. Dita e shtunë filloi me sirenat e sulmit ajror. Në mesditë ai u kthye në një nga sulmet më të tmerrshme që Izraeli ka njohur në 75 vitet e ekzistencës së tij.
Sulmuesit nga Hamasi, grupi militant islamik që kontrollon Rripin e Gazës, një vend i varfër dhe me popullsi të dendur vranë qindra njerëz dhe plagosën qindra të tjerë. Megjithëse Izraeli nuk është i panjohur për sulmet terroriste, sulmi i së shtunës ishte i paprecedentë. Kjo për shkak të mungesës së paralajmërimit.
Ushtria izraelite, një nga më modernet në botë, e pa veten të pasigurt. Për dekada ky vend krenohet me një nga forcat e armatosura më mbresëlënëse në botë dhe një agjenci mjaft të fortë të inteligjencës. Pyetjet për autoritetet izraelite janë tashmë të shumta.
Kanë kaluar më shumë se 17 vjet që kur një ushtar izraelit kapej si rob lufte në një sulm në territorin izraelit. Izraeli nuk e ka parë këtë lloj infiltrimi në bazat e tij ushtarake dhe në qytete që nga luftimet për luftën e pavarësisë të vitit 1948. Tani, si mundi një grup terrorist, i një prej enklavave më të varfra të botës të arrinte të kryente një sulm kaq shkatërrues?
“I gjithë sistemi dështoi. Nuk është vetëm një komponent. Është e gjithë arkitektura e mbrojtjes që me sa duket nuk arriti të sigurojë mbrojtjen e nevojshme për civilët izraelitë. Ky është një moment i tipit Pearl Harbor për Izraelin”, tha për CNN, Jonathan Conricus, një ish-zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit.
Forca e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) ka shmangur vazhdimisht pyetjet nëse ngjarjet e së shtunës përbëjnë një dështim të inteligjencës. Zëdhënësi ushtarak nënkoloneli Richard Hecht i tha CNN se Izraeli ishte i fokusuar në luftën aktuale dhe mbrojtjen e jetëve të civilëve.
“Ne do të flasim për atë që ndodhi më pas”, tha Hecht. Rastësi apo e menduar, sulmet erdhën një ditë pas 50-vjetorit të një tjetër konflikti të paparashikuar, kur një koalicion i shteteve arabe nisi një sulm të befasishëm kundër Izraelit në Yom Kippur, ditën më të shenjtë të kalendarit hebre, në 1973. Edhe ky sulm i fundit ishte surprizë për Izraelin, tha ish-kryeministri Naftali Bennett për CNN.
“Në historinë ushtarake ka gjithmonë surpriza të mëdha, Pearl Harbor, Barbarossa, Yom Kippur. Në fund të fundit, inteligjenca vetëm mund të shkojë kaq larg”, tha Bennett. Që kur Izraeli u tërhoq nga Gaza në vitin 2005, ka shpenzuar miliarda dollarë për të siguruar kufirin nga sulmet e palestinezëve. Ai ka ngritur një sistem për të neutralizuar çdo sulm që vjen nga Gaza, ka ndaluar terroristët të përpiqen të kalojnë kufirin nga ajri ose nëntoka duke përdorur tunele. Për të ndaluar sulmet me raketa, Izraeli ka përdorur Iron Dome, një sistem efektiv mbrojtës raketor i zhvilluar me ndihmën e Shteteve të Bashkuara.
Izraeli gjithashtu shpenzoi qindra miliona dollarë për ndërtimin e një sistemi kufitar me sensorë dhe mure nëntokësore, i cili, sipas Reuters, përfundoi në fund të vitit 2021. Zyrtarët izraelitë tashmë shohin se si dështuan këto sisteme. Që nga mëngjesi i së shtunës, Izraeli tha se Hamasi kishte lëshuar 2200 raketa, megjithëse nuk dha shifra se sa prej tyre u neutralizuan në ajër. Zyrtarët nuk kanë komentuar as nëse gardhi kufitar e bëri punën e vet.
Aaron David Miller, një ish-negociator i Departamentit të Shtetit për çështjet e Lindjes së Mesme, i tha CNN se komunitetet izraelite pranë Gazës se “natyrisht nuk ishin të mbrojtura siç duhet”. Mënyra se si Izraeli do të përgjigjet ka të ngjarë të përfshijë më shumë sesa thjesht përforcime kufitare. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë filluar tashmë sulmet ajrore ndaj Gazas duke synuar infrastrukturën e Hamasit, por edhe duke shkaktuar qindra të vdekur dhe të plagosur.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se vendi i tij do të “përgjigjet me zjarrin e një përmase që armiku nuk e ka njohur”. Ndërsa zyrtari më i lartë i ngarkuar me aktivitetet në territoret palestineze, gjeneralmajor Ghassan Alian, tha se Hamasi kishte “hapur portat e ferrit.”
Marrë dhe përshtatur nga CNN