Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, ka vijuar turin e dëgjesave publike me mësuesit në shkollën 9- vjeçare “Rilindja” në qytetin e Kavajës.

Ministrja Manastirliu tha se investimet për rindërtimin, rehabilitimin dhe në ambiente sportive në shkolla do të jenë prioritet i buxhetit të ardhshëm të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. “Ne jemi përpara miratimit të buxhetit 2024 dhe fokusi do të jetë tek zgjerimi i investimeve në shkolla, investimeve përsa i përket sportit në shkollë,  zgjerimit të terreneve sportive dhe palestrave, materialeve që duhen për ta bërë edhe aspektin sportiv sa më të larmishëm dhe disiplinat e sportit të përfshihen sa më shumë në kurrikulën e edukimit fizik, pra jemi duke punuar në mënyrë paralele për të gjitha këto aspekte”,- tha Ministrja Manastirliu.

Ministrja Manastirliu ka ritheksuar rëndësinë e orientimit të nxënësve në kohë të hershme drejt zanatit dhe arsimit profesional për mundësitë e mëdha që orfon tregu punës. “Ne do kemi një përfshirje të një kurrikule të re duke fillluar nga klasa e 6-të dhe duke u shtrirë deri në klasën e 9-të përsa i përket orientimit të karrierës, që evidentimi i prirjeve dhe talenteve të fillojë në një moshë të hershme dhe ne do të kemi 4 module të cilët do të plotësohen nga mësuesit kujdestarë në bashkëpunim me ekipin e bërthamës që është evidentuar në shkollë për mbështetjen dhe fuqizimin e orietimit të karrierës, duke mundësuar që në klasën e 6-të ne të kemi vlerësimin e prirjeve të nxënësve. Duke patur një vlerësim të përgjithshëm në klasën e 6-të, në klasën e 7-të, duke e shtuar atë vlerësimin e prirjes drejt nxënësve, në klasën e 8-të dhe duke diskutuar dhe me prindërit, që në klasë të 9- të të përcaktohen prirjet e nxënësve”,- theksoi Ministrja Manastirliu.

Gjatë takimit me mësuesit në Kavajë, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, nënvizoi se prioritet mbetet edhe digjitalizimi i sistemit parauniversitar ku 200 shkolla të reja do të pajisen me laboratorët smart në 2024 e më tej për t’u zgjeruar në me mbi 500 shkolla të arsimit fillor-9 vjeçar dhe të mesëm, ku të përfshihen aftësitë dixhitale përsa i përket aspekteve të të mësuarit mbi bazë lëndësh, që dixhitalizimi t’i çojë më përpara në raport me të mësuarit.
Mësuesit e shkollave 9-vjeçare në Kavajë, në takim me Ministren Manastirliu sugjeruan zgjerimin e bazës didaktike në shkolla, rritjen e aksesit në teknologji dhe zgjerimin e ambienteve sportive dhe palestrave për zhvillimin e edukimit fizik.