Historiani ushtarak Përparim Rexhepaj i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTv tregon se si Esat Pashë Toptani donte t’ia dorëzonte Shkodrën ushtrisë serbo-malazeze. Historiani flet për marrëveshjen që bëri Esat Pashë Toptani me ministrin e Jashtëm të asaj kohe në Mal të Zi, për të dorëzuar Shkodrën.

“Ministri i Jashtëm i Malit të Zi që ishte shok me Esat Pashe Toptanin, erdhi në mars të 1913-ës në Shkodër dhe i tha: “Ti e bërë detyrën, qytetin e mbrojtje. Në Vlorë është krijuar një qeveri, me Ismail Qemalin në krye. Ne dhe serbët do të mbështesim që të bëhesh i pari në Shqipëri.” Ndërsa Esat Pashë Toptani i tha: “Nuk kam çfarë të bëj, unë jam në dorë të oficerëve të mi.” Atëherë erdhi sërish më vonë ministri i Jashtëm, gjasme për t’u kujdesur për robërit malazezë dhe serbë dhe i tha sërish ta dorëzojë Shkodrën. Ndërsa Esati i tha: “Po si ta dorëzoj Shkodrën, ju të paktën pushtoni një rajon mbrojtjeje, si ta justifikoj dorëzimin e Shkodrës?

Pushtoni Taraboshin, Bardhajn apo Bërdicën.” Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, nisur nga kërkesa e Esat Pashë Toptanit kërkoi ndihmën e Serbisë. Serbia nisi nga Selaniku, në Shëngjin me anije greke, 30,000 trupa serbe, me artileri dhe me katër avionë luftarake. Serbia nga shtate avionë, katër i çoi në Shkodër. Mbret Nikolla duke parë situatën e vështirë që ishte vendosi që komandën edhe të trupave të tij t’ia lërë gjeneralit serb. Ishte një poshtërim i madh për Malin e Zi, se ishte shtet i pavarur dhe mbret Nikolla kishte ëndërr të merrte gjithë tokat serbe dhe të ishte mbreti. Por vendosi ushtrinë e tij nën komandën e gjeneralit serb. Humbjet malazeze ishin të mëdha në ketë luftë. Me gjithë tentativat e ushtrisë serbo-malazeze për të marrë Shkodrën nuk ia dolën. Gjenerali serb u tregua i matur, deri sa i erdhi urdhri nga Serbia që të tërhiqte trupat.

Më 23 mars 1913 Serbia urdhëroi tërheqjen e trupave nga Shkodra sepse Konferenca e Paqes në Londër vendosi që Shkodra të ishte pjesë e Shqipërisë. Në prill trupat serbe nga Shëngjini shkuan sërish në Selanik, bashkë me trupat greke. Iniciativën për dorëzimin e Shkodrës e mori vetë Esat Pashë Toptani, nuk ia kërkuan malazezët.”, u shpreh zoti Përparim Rexhepaj, i cili është nënkolonel në pension, historian ushtarak dhe për shpjegimin që bën i referohet arkivave serbe, malazeze, greke, otomane, shqiptare dhe botimeve amerikane e angleze.