Për herë të parë, samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet jashtë kufijve të Bashkimit Europian dhe për ta organizuar këtë samit me rëndësi për vendet e Ballkanit Perëndimor është zgjedhur Tirana. Përgatitjet për këtë samit po vijojnë, ndërsa ka qenë vetë kryeministri Rama i cili ka ndarë edhe logon e samitit, që do të mbledhë kryeministrat e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe një sërë krerësh të qeverive së BE-së.

“Jemi në përgatitjet e fundit të një tjetër evenimenti të madh ndërkombëtar për Shqipërinë, Samiti i Liderëve të Procesit të Berlinit, i cili do të zhvillohet për herë të parë jashtë kufijve të BE-së, në Tiranë, me pjesëmarrjen e 6 kryeministrave të rajonit, ku kanë konfirmuar pjesëmarrjen Presidenti i Francës dhe Kancelari i Gjermanisë, Presidentja e Komisionit Europian, si edhe një sërë kryeministrash të vendeve anëtare të Bashkimit Europian”, shkruan Rama.

Në samit deri më tani është konfirmuar pjesëmarrja e Kancelarit Gjerman, Olaf Scholz, presidenti Francës, Emmanuel Macron, si edhe Presidentja e Komisionit Europian, Urusula von der Leyen.