Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar lidhur me operacionin ku u arrestua shefi i komisariatit në Laç, si edhe u shpallën në kërkim të disa të tjerë. Në një reagim në rrjetin social “Facebook”, Balla shkruan se po “vijon intensivisht procesi i vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit”. Ministri thekson se, “lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizatës së Policisë së Shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit”.

“Vijon intensivisht procesi i vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit. Policia e Shtetit në bashkëpunim me SPAK kanë arrestuar sot pasdite Shefin e Komisariatit të Policisë Kurbin, i cili dyshohet për bashkëpunim me drejtuesit e një grupi kriminal, ndaj të cilëve janë lëshuar gjithashtu urdhra arresti. Forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizatës së Policisë së Shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit”, shkruan Ministri Balla.

Kujtojmë se në kuadër të një operacioni të zhvilluar nga policia dhe SPAK në disa qytet të vendin, në lidhje me operacionin “Flakë në det”, është vënë shefi i komisariatit të Laçit, Dritan Metaj, ndërsa janë shpallur në kërkim Gëzim Çela, Arben Dalipaj dhe Roland Guzo.