Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka dënuar sulmin e Hamasit kundër Izraelit, sulm i cili u regjistrua mëngjesin e kësaj të shtune. Shefi i qeverisë shqiptare thotë se Shqipëria e dënon me forcë një akt të tillë.
“Dënoj fuqishëm sulmin terrorist të Hamasit kundër Izraelit. Ne qëndrojmë të vendosur kundër terrorizmit. Mendimet tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe gjithë Izraelin”, shkruan Rama në “X”.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, më herët, duke dënuar sulmin me raketa tha se nuk raportohet për ndonjë shqiptar të lënduar apo të vrarë. Ajo vendosi në dispozicion një numër kontakti për shqiptarët që kanë nevojë për ndihmë në zonën e konfliktit.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është duke ndjekur nga afër situatën e tensionuar në Izrael. Sipas të dhënave deri më tani nuk ka asnjë shtetas shqiptar të lënduar nga këto sulme. Të gjithë qytetarët shqiptarë në Izrael, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale dhe të kontaktojnë për çdo rast me Ambasadën Shqiptare në Izrael në numrin e kontaktit:+972 54-4806601“, shkroi ambasada.