Qeveria ka kaluar një akt normativ me qëllim që t‘i jepet zgjidhje të gjitha detyrimeve të prapambetura ndaj efektivëve të policisë. Lajmin e bëri me dije ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili zhvilloi një takim me strukturat e Komisariatit të Policisë në Kavajë, nga ku sqaroi se në ditët në vijim për çdo orë jashtë orarit të punës do të kryhet pagesa.
“Detyra e Ministrit të Brendshëm lidhet drejtpërdrejt me trajtimin e duhur financiar të punonjësve të policisë. Kemi kaluar në qeveri një akt normativ ku i japim zgjidhje të gjitha pagesave apo detyrimeve të prapambetura me orët jashtë orarit, i cili hyn në fuqi menjëherë. Në ditët në vijim, për çdo orë jashtë orarit të punës do të kryhet pagesa dhe do ta ndjek personalisht”, deklaroi Balla.
“Unë e di që paga aktuale e punonjësve të policisë është shumë e ulët krahasuar me nevojat që ka çdo familje e një punonjësi policie. Me buxhetin e shtetit 2024, do të kemi një rritje, e cila ndoshta nuk është aq sa duhet, por është një hap i madh krahasuar me stadin aktual”, nënvizoi ai.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla i shoqëruar nga Drejtori i DVP, Durrës Skënder Hita theksoi sërish nevojën për thellimin e procesit të vetë-pastrimit të radhëve të policisë dhe rritjen e besimit të publikut.
Ministri nënvizoi gjithashtu angazhimin për të përmirësuar kushtet financiare, qoftë sa i përket pagës së përgjithshme nëpërmjet ndryshimeve në buxhetin e ardhshëm, ashtu edhe për pagesat e orëve shtesë që u miratuan në mbledhjen e fundit të qeverisë.
Balla vuri në dukje se është bërë një punë e lavdërueshme nga strukturat e Komisariatit të Kavajës përgjatë sezonit turistik. Ai falënderoi punonjësit për përmbylljen me sukses të sezonit.
“Ky Komisariat mbulon një vijë të rëndësishme bregdetare dhe me një numër shumë të madh hotelesh dhe një numër shumë të madh turistësh që vizitojnë gjithë bregdetin së bashku me pjesën që mbulon në tërësi Drejtoria e Durrësit. Duhet të jemi të përgatitur për vitin e ardhshëm, i cili do të jetë një vit me një numër edhe më të madh se ky që kishim. Prandaj ne kemi menduar të krijojmë edhe një Forcë Kombëtare të Sigurisë, e cila të mbështesë komisariatet”, theksoi ministri.