Në një intervistë në ABC, analisti Skëndër Minxhozi u shpreh se kosto politike për ish-kryeministrin Sali Berisha është shumë më e madhe se ajo penale. Gjithashtu, Minxhozi thekson se në këtë situatë, Berisha shfrytëzoi PD-në për interesa personale. “Sa herë e kanë fajin të tjerët të tjerët duhet të shkojnë në gjykatë, ndërsa kur e kam unë duhet të zgjidhet me revolta popullore. Zoti Berisha nuk na zhgënjen kur akuzohet për diçka konkrete. Ose kërkon të zgjojë sheshe apo turmat, ose do të merret me procedurat. Kosto politika është shumë më e madhe se sa ajo penale. Do të thoja që kostot për PD dhe gjithë opozitën janë të jashtëzakonshme.

Në një moment të parë PD u mor gjatë në mbrojtjen e kauzës së Berishës kur ai u shpall non-grata. E gjithë PD tani është e përfshirë në një angazhim të dytë, thellësisht personal këtë herë për llogari të zotit Berisha. Partia është angazhuar për një betejë personale kundër gjykatës, kundër drejtësisë, që t’i sigurojnë një imunitet zotit Berisha në betejën e gjatë, së pari me Amerikën dhe tani me SPAK. Me këtë betejë në emër të Berishës, të një politikani që është në fundin e karrierës së tij, PD e sheh veten të angazhohet personalisht për llogari të zotit Berisha. Ai është rifutur vetëm sepse e goditën amerikanët, ky kaos shtyn në një mënyrë të rrezikshme atë që duhet të ishte për një proces afatgjatë për gjetjen e një kryetari të ri”, tha ndër të tjera ai. Më tej në këtë intervistë, Minxhozi u shpreh se drejtësia nuk mund të jepet në oborrin e Partisë Demokratike, por në sallën e gjyqit.

“Unë nuk besoj që Rama ka pasur ndonjë rol përcaktuar me atë që ka ndodhur me ish-kompleksin ‘Partizani’. Pati një traumë shumë të madhe politike, me mbylljen e opozitës në bulevard, apo edhe me ’21 janarin’. Pra marrëdhëniet mes tyre kanë qenë të acaruara. Dhe nuk mendoj se Rama do të përfshihej në një skemë kaq private. Por kemi parë vetëm sherr për procedurë, thirrje për protestë, kjo është një drejtësi lagjesh që nuk ka lidhje fare me drejtësinë. Drejtësia nuk jepet në oborrin e PD, por drejtësia jepet në sallën e gjyqit”, ka thënë ndër të tjera Minxhozi. Aanalisti u shpreh se ish-kryeministri Sali Berisha është një ndër politikat që në këto 30 vite ka tentuar t’i ikë drejtësisë dhe çdo përgjegjësie që lidhet me postin.
Gjatë kësaj intervistë ai gjithashtu u shpreh se ish-kryeministri nuk njeh kode penale apo ligje dhe se synon që të mbyllë gjithçka me vetëgjyqësi.

“Jemi përballë rastit të rrallës, kur Sali Berisha i ikën drejtësisë. Ai këto 30 vite i ka ikur më tepër se kushdo tjetër përgjegjësive që lidhen me postin. Është një person publik më i famshmi i tranzicionit. Edhe tani po jep shembullin e politikanit që nuk njeh as reformë drejtësie, as rregulla loje, as kod penal dhe as gjykatë. Ai kërkon të mbyllë akuza konkrete me vetëgjyqësi popullore, duke thirrur partinë në rresht, tani po e shohim se si kjo dramë e tij e fundit ligjore po luhet pa spektatorë. Ndodhemi përballë një rasti kur një zyrtar i lartë, në vend të japë shembull se si një qytetar duhet të shkojë përpara drejtësisë të pastrojë vetën, por ai kërkon të vetë-pastrohet me vetëgjyqësi. Por rregullat e lojës në një shoqëri si kjo e jona nuk merret duke qëndruar në apartament, por vetëm në gjykatë”, ka thënë ndër të tjera Minxhozi.