Është e vështirë të kuptosh një mit, sepse sakrifica që e bën të tillë është e përmasave jonjerëzore. Gjigante ajo e Adem Jasharit, simbol i luftës për liri të Kosovës. Luftëtari i lirisë dha jetën bashkë me 58 anëtarë të familjes, pas tri ditësh luftime, i rrethuar nga forcat serbe në vitin ‘98.

Një lajm tragjik i asaj kohe në Shqipëri, pamjet e kullës së rrënuar, viktimat mes të cilave gra e fëmijë, një familje e tërë e shuar, një dramë që mendja njerëzore nuk mund ta konceptojë.
Gjithmonë me naivitetin e një djali të asaj kohe kam pyetur veten, a nuk kishte një rrugë tjetër? Një arratisje para rrethimit, një largim, qoftë edhe një dorëzim i përkohshëm a do shërbente? Shuarja e një familjeje të tërë është një barrë e pamundur per t’u marrë përsipër…

Kujtime që t’i rikthen kënga e Shkurte Fejzës në “Air Albania”. “Mora fjalë” është kthyer në himnin e kombëtares në këto eliminatore, në një atmosferë tjetër. Sot Kosova është e lirë dhe Shqipëria ka ndryshuar, aty janë nga të gjitha viset shqiptare, si Kombëtarja që i përfaqëson në fushë. Dritat e ndezura dhe të gjithë që i këndojnë Legjendarit. Kënga është e bukur, por të gjithë e këndojnë se është për Adem Jasharin, simbol i luftës për liri. E këndojnë nga Saranda e Çamëria, në Preshevë, Mitrovicë, Prishtinë, Tiranë, Tetovë, Shkup e Kumanovë .

Atmosferë magjepsëse që të sjell dhe kujtimin e Adem Jasharit dhe atë pyetje naive kur mësove tragjedinë e atij marsi të ‘98, dhe të duket se shpirti i tij shëtit mbi “Air Albanian”, dhe me zërin burrëror thotë: Hallall, ia ka vlejtur, pa atë sakrificë nuk do të ishit të gjithë bashkë këtu!