Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar Ukrainës, 1.1 milionë plumba të konfiskuara nga Irani vitin e kaluar. Komanda qendrore amerikane, e cila mbikëqyr operacionet në Lindjen e Mesme bëri me dije se plumbat ishin konfiskuar nga një anije e nisur për në Jemen gjatë muajit dhjetor.
Aleatët perëndimorë të Ukrainës, kanë paralajmëruar së fundmi, se ritmi me të cilin Kievi po përdorte municionet, e bënte të vështirë vazhdimësinë e furnizimeve.
Gjatë një diskutimi mbi furnizimet me armë të perëndimit në forumin e sigurisë në Varshavë, Admiral Rob Bauer, kreu i Komisionit ushtarak të NATO-s, tha se tashmë po dukej fundi i fuçisë.
“Ne tani i japim Ukrainës sisteme armësh dhe municione, por nuk i kemi magazinat plot. Kemi nisur që të japim armatime nga magazina gjysmë bosh apo me rezerva të ulëta në Europë, prandaj tani po fillon të duket fundi i fuçisë”, u shpreh admirali.
Komanda qendrore amerikane, Centcom, njoftoi se plumbat iranianë, të kalibrit 7.62 milimetra e të cilat përdoren në armë të kohës sovjetike, ishin transferuar në Ukrainë të hënën.
Uashingtoni siguroi pronësinë e tyre në korrik, përmes një procesi të njohur si konfiskim civil, sipas të cilit asetet mund të përvetësohen nëse pronari është i përfshirë në aktivitet kriminal.
Centcom deklaroi se SHBA ishte e përkushtuar të punonte me aleatët dhe partnerët për të frenuar fluksin e armatimeve iraniane në rajon, përmes të gjitha mjeteve ligjore.
Transferimi i municioneve të Teheranit në Ukrainë vjen teksa administrata Biden po kërkon për mënyra alternative për t’i siguruar ndihmën e nevojshme Ukrainës, mes kundërshtive të disa pjesëtarëve te kongresit.