Ka nisur sot seanca gjyqësore në Gjykatën e Tiranës, në lidhje me kërkesën e PD-së për të regjistruar ndryshimet statutore që u bënë në Kuvendin Kombëtar të kësaj partie, që u mbajt më 2 shtator të këtij viti. Çështja në fjalë, shqyrtohet nga gjykatësi Niko Rapi. Ndërkohë, palë në këtë proces është dhe Rithemelimi, pasi ka kërkuar që gjykata të mos e regjistroje statutin e ri të kryedemokratit Basha pa u shqyrtuar çështja në themel.
Përfaqësues të Partisë Demokratike në shqyrtimin e sotëm në Gjykatën e Tiranës janë Rezart Kthupi dhe Indrit Sefa, Gazment Bardhi përfaqësohet nga Marash Logu e Redi Rama, ndërsa Rithemelimi i drejtuar nga Sali Berisha përfaqësohet nga Çlirim Gjata dhe Franc Nuri. Gjatë fjalës së tij përfaqësuesi lilogjor i Bashës, Indrit Sefa kërkoi përjashtimin nga procesi të palës së Rithemelimit, pasi autorizimi është nul.
“Autorizimi i Rithemelimit është një autorizim nul. Nuk janë tagra që ata mund t’i kenë për t’u bërë pjesë në proces. Komisioni i Rithemelimit, në dijeninë time, nuk ka personalitet juridik. Si i tillë, nuk mund të lëshojë autorizim përfaqësimi.”, tha Sefa.
Kujtojmë se Kuvendi Kombëtar i PD-së në mbledhjen e tij të fundit më 2 shtator mori disa vendime, siç ishte dhe ndryshimi i nenit 48 që i jep kryetarit të partisë, Lulzim Bashës edhe postin e kreut të Grupit Parlamentar.
Sipas ndryshimit të ri, në periudhën që PD është parti opozitare, kryetari i Partisë, do të jetë njëherësh edhe kryetar i Grupit Parlamentar.