Mes të tjera dokumenteve të sekuestruara për hetimin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, SPAK ka sekuestuar disa shpjegime të dhëna nga vajza e Jamarbër Malltezit, Dasara Malltezi, për një institucion gjerman, në lidhje origjinën e 42 mijë eurove të dhëna nga babai i saj.

Dokumenti është nxjerrë nga një kompjuter i sekuestruar në studion ligjore “Pustina” dhe bëhet fjalë për një transfertë financiare të kryer nga një llogari bankare gjermane e Jamarbër Malltezit. Përmes saj, jepeshin përgjigjet që Malltezi duhet t’i kthente institucionit gjerman.

Sipas GJKKO, nga përmbajtja e letrës bëhet fjalë për një kontratë blerjeje banese në Gjermani. Referuar dosjes së gjykatës, në letër pasqyrohet se:

“Babai im depozitoi draft-kontratën për blerjen e apartamentit tim në bankën e tij në Shqipëri, duke i njoftuar ata që i nevojitej të bëhen disa transferta në llogarinë time për të realizuar blerjen. Ekziston një kufizim ditor për transfertat online dhe ai nuk mund të transferonte të gjithë shumën në llogarinë time.

Kur ai transferoi 320 mijë euro në llogaritë time, papritmas bankat lokale në Shqipëri patën një problem për rreth 3-4 ditë me sistemin e tyre online. Që kur kontrata ishte e ndjeshme ndaj afateve kohore (paratë duhet të shkonin tek noteri brenda një date të caktuar) në mënyrë që të mos dështonin detyrimet kontraktore, ai vendosi që të transferonte shumën e mbetur prej 42 mijë euro nga llogaria e tij në Gjermani”.

Sipas GJKKO, në ndërthurje me të dhënat e rezultuara gjatë hetimit, konfirmohet se në drejtim të llogarisë në Gjermani janë kryer transferta bankare nga llogaritë shqiptare të shtetasit Jamarbër Malltezi. Kofirmohet se nga llogaria e tij janë kryer 4 transferta në total, në vlerën 80 mijë euro për periudhën 08.09.2021-14.09.2021 me përshkrimin “Kalim për blerje apartamenti Desara Malltezi Rotterdam”./Tema