Kamionët që transportonin ndihma humanitare për Rripin e Gazës kanë filluar të hyjnë në vendkalimin e Rafah, i cili lidh Egjiptin me enklavën e rrethuar palestineze, sipas imazheve të transmetuara nga televizioni shtetëror egjiptian.

Informacioni u konfirmua nga një burim në shërbimet e sigurisë dhe një zyrtar i Gjysmëhënës së Kuqe Egjiptiane për AFP.

“Karvani i ndihmave humanitare që do të hyjë sot në Rripin e Gazës përfshin 20 kamionë që transportojnë ilaçe, pajisje mjekësore dhe një numër të kufizuar rezervash ushqimore”, tha zyra e shtypit e Hamasit në një deklaratë.

Një zyrtar palestinez në kufir tha se kamionët tashmë kishin arritur në anën palestineze të kalimit Rafah.

Kalimi i Rafahut, midis Gazës dhe Egjiptit, është i vetmi vendkalim për ndihma për të hyrë në Rripin direkt nga jashtë Izraelit dhe e vetmja dalje që nuk të çon në territorin izraelit.

Kalimi ndodhet në pjesën jugore të Rripit të Gazës, një rrip i ngushtë toke i banuar nga 2.3 milionë njerëz, i vendosur midis Izraelit, Egjiptit dhe Detit Mesdhe.

Mbajtësit e pasaportave të huaja, përfshirë amerikanët, i janë afruar vendit me shpresën se do të lejohen si pjesë e një marrëveshjeje, megjithëse Kajro ka thënë se ndihma duhet të jepet së pari.

Izraeli u ka kërkuar banorëve të Gazës që të lëvizin në jug, më afër Rafahut, për t’u mbrojtur nga bombardimet, megjithëse banorët thonë se nuk mund të gjejnë strehim askund në enklavën me popullsi të dendur.