Nga Alba Malltezi
Java e fundit e shtatorit ishte plot ngjarje të forta dhe delikate: Kosova po provokohet në mënyrë primitive nga fqinjët serbë, ndërsa në Shqipëri duket se jeta e nëndheshme e bandave po del në sipërfaqe me emra të padëgjuar më parë dhe me histori të frikshme, të denja për filmat më të paimagjinuar hollivudianë.
SPAK po bën lëvizjet e tij, që me pak të dhëna, mbeten ndër më hermetiket e me gjithë këtë që po ndodh, një grusht burrash nëpër televizionet kryesore të Shqipërisë duket se janë të interesuar për videot erotike, apo jo, të vajzave të shoëbizit shqiptar, lidhur me botën e krimit.
Aq pyetje, hamendësime, detaje, aludime, kërkime, shtime, sajime, fantazi, deklarata, ngërdheshje u bënë këtë javë rreth videos së supozuar, sa s’janë bërë për politikanët më të korruptuar që janë marrë nën hetim nga SPAK apo priten të merren.
Si përherë, edhe këtë herë, gjithë energjia intelektuale që arriti të prodhojë kuvendimi i përnatshëm i burrave që “kanë burime të sigurta konfidenciale nga SPAK” veçanërisht dhe posaçërisht për vajzat e showbizit, s’ishte asgjë më shumë se fantazitë provinciale të pakontrolluara të tyre që kalojnë nga ekrani direkt nëpër shtëpitë e shqiptarëve.
E të gjitha këto frustrime dhe fantazi i paketojnë me burime të hamendësuara nga drejtësia e re. Ku kjo e fundit në gojët e tyre, duket e shndërruar më keq se vajzat e showbizit në lidhje apo në flirtime me botën e krimit.
E duke qenë se “burimet konfidenciale” gjithnjë e më të bujshme të këtyre burrave të mbrëmjeve televizive po shtohen nga burri në burr me shpejtësinë e dritës, lë qartë të kuptohet se është thjeshtë një imitim, kopjim, zili mes tyre, sesa një garë për të shkuar sa më afër të vërtetës.
Ndërsa Kosova po i shmanget luftës, Shqipëria po përpiqet të mbajë kurrizin drejt ndaj ngjarjeve vetëpastruese dhe shtetformuese, do të ishte në nderin tonë, në nderin e medias, të mos shtohesh përnatë e më shumë “bombat” qoftë me sfond erotik apo politik, që burrat ua hedhin opinionit publik të menduara e të sajuara vetëm 5 minuta para se të ndizen mbi ta telekamerat.