Ministria e Brendshme ka propozuar ndryshime në Kodin Penal, sa i takon forcimit të sigurisë në shkolla.
Përmes një shkrese, drejtuar ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, Taulant Balla ka propozuar shtimin e 11 neneve, që do të rrisnin më shumë sigurinë në institucionet arsimore, ku përfshihet pornografia, dhuna seksuale, apo pornografia dhe të tjera fenomene.
Në lidhje me këtë dekretligji ka reaguar edhe ministri Taulant Balla, i cili theksoi se me këto ndryshime do të ashpërsohen dënimet e parashikuara në Kodin Penal.
“🇦🇱 Do të forcojmë me ligj Paketën Sigurisë në Shkolla duke bërë të mundur ashpërsimin e dënimeve të parashikuara në Kodin Penal për veprat penale që kryhen në mjediset e një institucioni arsimor apo në perimetrin e sigurisë së tij. Kryerja e një vepre penale në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij të parashikohet si rrethanë rënduese, nëse në dëm të një të mituri, dhe, në çdo rast, si rrethanë cilësuese e figurës së veprave penale të mëposhtme:
• Dhuna seksuale (neni 107/a);
• Pornografia (neni 117);
• Trafikimi i të miturve (neni 128/b);
• Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit (neni 278);
• Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta (neni 279);
• Prodhimi dhe shitja e narkotikëve (neni 283);
• Përshtatja e lokalit për përdorim droge (neni 285/a);
• Hedhja ose braktisja e shiringave (neni 285/b);
• Nxitja për përdorimin e drogës (neni 286);
• Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt (neni 291).
Jam i bindur se këto ndryshime në Kodin Penal do të kontribuojnë në rritjen e sigurisë, parandalimin e kriminalitetit dhe shmangien e rrezikut për jetën dhe shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve tanë në të gjitha ato mjedise brenda dhe përreth shkollave të frekuentuara prej tyre.”, thuhet në reagimin e tij.
PROJEKTLIGJI
Nr. ______/2023
PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR. 7895, DATË 27.1.1995, “KODI PENAL I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 81, pika 2, shkronja “d”, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet si më poshtë:
Neni 1
Në nenin 50 “Rrethanat rënduese”, shtohet paragrafi “ë” me këtë përmbajtje:
ë) kryerja e një vepre penale në dëm të një të mituri në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij.
Neni 2
Në nenin 107/a “Dhuna Seksuale”, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje: “Kur kjo vepër kryhet në mjediset ose në perimetrin e sigurisë së institucionit arsimor të frekuentuar nga i dëmtuari dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet”.
Neni 3
Në nenin 117 “Pornografia”:
Pas paragrafit të parë, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:
“Kur kjo vepër kryhet në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, dënohet me burgim nga tre deri në pesë vjet”.
Pas paragrafit të tretë, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje: “Rekrutimi, përdorimi, shtrëngimi ose bindja e një të mituri për të marrë pjesë në shfaqje pornografike, kur kryhet në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet”.
Neni 4
Në nenin 128/b “Trafikimi i të miturve”, shtohet paragrafi si vijon:
“Kur kjo vepër kryhet në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, dënimi me burgim shtohet me ¼ e dënimit të dhënë”.
Neni 5
Në nenin 278 “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe I municionit”, pas paragrafit të parë shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:
“Kur kjo vepër kryhet në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet”.
Neni 6
Në nenin 279 “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” pas paragrafit të dytë shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:
“Mbajtja e armëve të ftohta si shpatat, bajonetat, thikat dhe mjete të tjera të përgatitura e të destinuara posaçërisht për sulm kundër personave ose për vetëmbrojtje, pa lejen e organeve kompetente, në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, dënohet me burgim nga tre deri në gjashtë vjet”.
Neni 7
Në nenin 283 “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:
“Kur kjo vepër kryhet në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet”.
Neni 8
Në nenin 285/a “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:
“Kur kjo vepër kryhet në perimetrin e sigurisë së një institucioni arsimor, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet”.
Neni 9
Në nenin 285/b “Hedhja ose braktisja e shiringave”, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:
“Kur kjo vepër kryhet në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, dënohet me burgim nga një vit deri në tre vjet”.
Neni 10
Në nenin 286 “Nxitja për përdorimin e drogës”, paragrafi i dytë zëvendësohet nga paragrafi më këtë përmbajtje: “Kur nxitja apo injektimi i detyruar bëhet ndaj fëmijëve apo në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, në institucione penale, sportive apo të çdo veprimtarie tjetër shoqërore dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.
Neni 11
Në nenin 291 “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, pas paragrafit të parë shtohet paragrafi me këtë përmbajtje: “Kur kjo vepër kryhet në perimetrin e sigurisë së një institucioni arsimor, dënohet me burgim nga një vit deri në tre vjet”.
Neni 12
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYETARI
Lindita Nikolla