Tensione të forta dhe përplasje mes mazhorancës dhe opozitës parashikohen në nisje të seancës parlamentare të ditës së sotme. Shkak do të bëhet përjashtimi i 26 deputetëve të opozitës me vendim të Sekretariatit të Etikës më datë 19 tetor, pas kaosit në seancën e asaj dite.

Opozitarët e përjashtuar do të mbërrijnë në Kuvend për t’u bërë pjesë e seancës, pasi argumentojnë se afati 10 ditor i përjashtimit ka përfunduar më datë 29 tetor. Por duket se ndryshe mendon mazhoranca socialiste, e cila i referohet Rregullores së Kuvendit, nenit 121/1 dhe konkretisht fjalisë së dytë të pikës 3 ku thuhet se: “Kur dita e fundit e një afati bie e shtunë, e diel ose një ditë feste zyrtare, afati mbaron në ditën e punës që vjen pas saj”. Në këto kushte të leximit krejtësisht të kundërt të Rregullores së Kuvendit, duken të pashmangshme tensionet sot në Kuvend.

Salla e seancave plenare më 19 tetor, u shndërrua në arenën e protestës politike të opozitës dhe sidomos të deputetëve që mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha. Pa nisur seanca opozitarët bllokuan vendet ku ulen ministrat dhe hoqën kartat nga ulëset e deputetëve, me qëllim pengimin e zhvillimit normal të seancën plenare. Në ato kushte kaosi, drejtuesja e seancës, nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj që drejtonte seancën plenare, vendosi shtyrjen. Ndërkohë mazhoranca zyrtarisht depozitoi kërkesën për përjashtimin nga Kuvendi të 26 deputetëve opozitarë. Vendimi u mor po atë ditë.

Për opozitën, mazhoranca socialiste ka asgjësuar të drejtat e opozitës pasi ka rrëzuar të gjitha kërkesat kushtetuese dhe ligjore për hetime parlamentare. Sipas saj, aksioni politik ishte vetëm fillimi i rezistencës.

Mazhoranca sjelljen e opozitës në seancën e 19 tetorit e pa si dhunë ndaj institucioneve e për këtë arsye theksoi se nuk mund të tolerohet.