Holberton School Albania në partneritet me Shkollën Profesionale “Hermann Gmeiner” dhe Shkollën Teknike Elektrike “Gjergj Canco”, në Tiranë do të fillojnë më 16 tetor 2023 programin e edukimit të dyfishtë, një rrugë unike arsimore që kombinon mësimin tradicional në klasë me trajnimin praktik, mbi bazë projektesh dhe i referohet një metode mësimore ku të njëjtat aktivitete mësimore ndiqen nga nxënësit në kampus në të njëjtën kohë.

Kjo nismë inovatore, e mbështetur fillimisht nga Kryeministri Edi Rama, për prurjen e inovatorëve global të teknologjisë në Shqipëri që sjellin mundësi zhvillimi për të rinjtë shqiptarë dhe ndikojnë në përmbushjen e vizionit “Shqipëria 2030 kampione në rajon për hapësirën digjitale”, nuk është thjesht një program edukimi por është modeli i bashkëpunimit, i mbështetur edhe nga Qeveria nëpërmjet programit të Kodimit që mbështet tw rinjtë nw rrugëtimin e tyre transformues në teknologji.

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, ka shprehur entuziazmin e saj për shtrirjen e impaktit të programit të kodimit: “Kodimi është gjuha e krijimtarisë në ditët e sotme. Në një kohë ku bota po ndryshon me ritme të shpejta drejt revolucionit digjital, të rinjtë janë qendra e teknologjisë së informacionit, prandaj dhe Qeveria i mbështet me anë të Programit të Kodimit që të zbulojnë dhe zhvillojnë talentet e tyre në fusha të ndryshme të teknologjisë, si në Inteligjencë Artificiale dhe Machine Learning. Në vetëm 8 muaj, në programin e kodimit janë bashkuar 745 të rinj që ndjekin kurset për t’u bërë pjesë e një tregu global.”

Procesi mësimor në shkollë do të zhvillohet bazuar në programet dhe kurikulën standarde të shkollës për arsimin profesional, por të plotësuar me programet e trajnimit dhe praktika profesionale që ofron “Holberton School” në bashkëpunim me sipërmarrjet partnere. Programi i kursit që ofrohet nga “Holberton” do zhvillohet gjatë praktikës profesionale, me një kurrikul të zhvilluar nga ekspertët më të mirë në Silicon Valley, për t’iu dhënë nxënësve një edukim cilësor në shkencat kompjuterike dhe zhvillimit të softuerit, duke kombinuar teorinë bazë me aftësitë e aplikuara që jo vetëm i përgatit ata për një karrierë të suksesshme, por i aftëson për të mësuar si të mësojnë.

Në përfundim të këtij programi të edukimit të dyfishtë, krahas diplomës të shkollës së mesme profesionale, nxënësit do pajisen edhe me certifikatë të “Holberton School”, certifikatë e njohur ndërkombëtarisht.