Gazetari Ferdinand Dervishi tha se mos reagimi i ish-presidentit Ilir Meta për të gjithë çështjen “Partizani”, ku si person nën hetim është marrë edhe ish-kryeministri Berisha, të bën të dyshosh shumë në lidhje me atë që po ndodh.

Së fundi nëpër media kanë qarkulluar aludime se çfarë ka ndodhur me ish-presidentin Meta, pasi prej tij nuk dihet asgjë që prej të shtunës, ku u dha masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndaj Sali Berishës.

Sipas gazetarit Dervishi, është tentuar të ketë një komunikim me të afërm të Ilir Metës, por askush nuk është përgjigjur.

“Është ish-presidenti i Shqipërisë. Ka akoma eskortë. Është një njeri që ka qenë kreu i sigurisë kombëtare. Ai njeri mbart me vete sekrete. Ku është ky njeri? Ku ka përfunduar ky njeri. I bien telefonave të njerëzve të tij dhe nuk e hapin. A e di presidenti aktual se ku është paraardhësi i tij?

A e di policia? Të ziej opinioni një javë dhe mos të dalë askush, sikur është inekzistent. Ai ka edhe një parti mbrapa vetes. Kjo të bën të dyshosh shumë se çfarë po ndodh”, tha gazetari Ferdinand Dervishi.