Nga Bledi Lumani
Ylli Manjani, një ndër zërat më kritikë të reformës në drejtësi, kishte arritur sot në përfundimin se SPAK është krijuar për të goditur opozitën.
Dhe sillte me radhë rastet e Sali Berishës, Ilir Metës e Fatmir Mediut, të cilët janë duke u përballur me drejtësinë për ato që kanë bërë kur kanë qenë në pushtet.
Tani, sipas llogjikës së Manjanit, po dhe shumë të tjerëve si ai, meqë këta janë në opozitë, nuk u dashkan hetuar, se kështu, duke u marrë me ta, goditet opozita.
Po pse, faji i SPAK është, që opozita sot përfaqësohet nga Sali Berisha, njeriu që ka mbi supe akuzat nga më të llahtarshmet, që nga korrupsioni, deri tek vrasjet politike?
Faji i SPAK është, që opozita sot përfaqësohet nga Ilir Meta, njeriu i cili konsiderohet si politikani më i korruptuar në vend, provat e të cilit kanë dalë me zë dhe figurë?
Faji i SPAK është që opozita sot përfaqësohet nga Fatmir Mediu, ministri që punonte si sekretar i Shkëlzen Berishës, duke shkaktuar një nga ngjarjet me të rënda në vend, Gërdecin, me 26 të vrarë e qindra të plagosur?
Faji i vetëm i SPAK, dhe atyre që kanë qenë para SPAK, është që nuk i kanë hetuar deri më tani, jo pse po i hetojnë tani.
Pastaj sa për ata zëra publik që i qajnë hallin opozitës, se po goditet rëndë meqë po u hetokan Berisha, Meta e Mediu, u duhet kuptuar halli, se me goditjen e këtyre, në fakt goditen xhepat e tyre.
Sa për opozitën, ajo do të çlirohej më në fund nga llumi që e drejton dhe që mban në pushtet Edi Ramën.
Se bëjnë dhe sikur nuk e kuptojnë këta që mbrojnë Berishën, po me rrëzimin e Saliut, Metës, Mediut dhe kujtdo tjetër të korruptuari që sot thotë se përfaqëson opozitën, por që në fakt përfaqëson veç interesat e veta për t’u mbrojtur nga ato që kanë bërë, siç po na e tregoni rasti i Berishës, gjithë prozhektorët drejtohen pastaj nga Rama.
Dhe ndoshta më në fund, do të vijë dita që fusha politike, si nga mazhoranca, ashtu dhe nga opozita, të pastrohet njëherë e mirë dhe të kemi pak normalitet.
Gjë që sot, natyrisht nuk iu intereson as mbrojtësve mediatik të Berishës, dhe as të Ramës, se pastaj do të bëheshin të padobishëm dhe ata. Përveçse të varfër!