Sikurse është bërë tashmë traditë, një ditë para Maratonës së madhe të Tiranës, të rinjtë e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve në kryeqytet, morën pjesë në një garë prej 2 kilometrash, pjesë e maratonës “Fun Run Tirana”.
Në orën 10:00 të mëngjesit, gara nisi nga sheshi “Nënë Tereza” dhe vijoi përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
I pari që kaloi vijën e finishit nga kategoria e djemve ishte Florant Senameri me 2 minuta e 12 sekonda nga shkolla “Arben Broci”. Teksa vlerësoi mësuesit e edukimit fizik të shkollave në Tiranë, Nënkryetari i Bashkisë Andi Seferi u shpreh se sporti po merr një vëmendje gjithnjë e më të madhe për një jetë sa më të shëndetshme.
“Një duartrokitje speciale do të doja për të gjithë mësuesit e Edukimit Fizik, që janë prezent këtu me ju, dhe që nuk ju janë ndarë asnjë minutë për t’ju udhëhequr drejt rrugës së bukur të sportit, sesi mund të rriteni të shëndetshëm në këtë qytet të mrekullueshëm që është i juaji. Jam zemërplotë kur ju shoh duke vrapuar, kur ju shoh në krah të njëri-tjetrit sepse realisht punojmë të gjithë, mendojmë, projektojmë të gjithë për një qytet të shëndetshëm për ju”, tha ai.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu apeloi për më shumë përkushtim ndaj aktiviteteve sportive. “Sot kemi ditën përpara Maratonës së Tiranës 2023 që organizon Bashkia dhe sot gjithë gjimnazet, shkollat 9-vjeçare, kanë kontribuar duke u kujdesur për veten e tyre, për një jetesë të shëndetshme.
Nëse ne i kushtojmë edhe më shumë kohë sportit, të jeni të bindur që edhe vetë do të jemi më të shëndetshëm, edhe qyteti do jetë më i shëndetshëm, edhe vendi eci më përpara”, tha ministrja Manastirliu.
Tirana do të organizojë nesër për të shtatin vit “Maratonën e Tiranës” e cila mirëpret më shumë se 4,000 pjesëmarrës jo vetëm nga Shqipëria, por gjithashtu dhe nga vende të huaja, gati për të sfiduar veten.
Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka hartuar një plan masash, si dhe ka vendosur sinjalistikë të përkohshme rrugore, ndalim qëndrimi dhe pushimi për mjetet, duke shfuqizuar dhe mbuluar të gjithë sinjalistikën e mëparshme.
Qytetarëve u është bërë apel që përgjatë fundjavës të përdorin sa më pak të jetë e mundur automjetet private dhe të mos tentojnë të hyjnë me automjet brenda perimetrit të garës, gjatë zhvillimit te garës, pasi kjo është rreptësisht e ndaluar, si dhe t’u binden menjëherë urdhrave të shërbimeve policore, në devijimet eventuale të trafikut që do të kërkohen.