Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti sot në seli, zëvendëspresidentin e Institutit Republikan Ndërkombëtar, Scott Mastic. Në takim u diskutua për rolin e rëndësishëm që kjo organizatë luan në promovimin dhe zhvillimin e demokracisë në vendin tonë dhe në botë.

Basha gjatë fjalës së tij falënderoi z. Mastic për bashkëpunimin dhe mbështetjen e Institutit Republikan Ndërkombëtar për ndërtimin e kapaciteteve të Partisë Demokratike dhe kthimin e saj në alternativë qeverisëse. Në këtë takim u diskutua për prioritet e Partisë Demokratike, si lufta kundër korrupsionit, zgjedhjet e lira, transparenca e llogaridhënia politike dhe përfshirja e sa më shumë te rinjve dhe grave në politikë. “Lufta ndaj korrupsionit, i cili është pengesa më e madhe për zhvillimin e vendit dhe krijimit të mundësive për të rinjtë për të ndërtuar jetën në vendin e tyre dhe jo në emigrim, është dhe prioriteti kryesore i PD”, – tha zoti Basha.

Në këtë kuadër zoti Basha theksoi mbështetjen e PD për SPAK-un dhe angazhimin përmes nismave ligjore në parlament për të kontribuar në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në nivelet më të larta. “Paratë që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare, apo janë investuar kudo nëpër botë, duhet t’u kthehen shqiptarëve”, – tha kreu i PD. Kryetari i PD i prezantoi edhe platformën për luftë kundër korrupsionit dhe për reformën zgjedhore, që iu jep qytetarëve shqiptarë mundësinë të zgjedhin dhe të përfaqësohen sipas vullnetit të tyre, lista te hapura, vetting për politikanët, votën e diasporës, presidentin nga populli, etj.

Duke folur për riorganizimin e PD, zoti Basha tha se një vëmendje e veçantë po i kushtohet përfshirjes të sa më shumë grave dhe të rinjve, për trajnimin e të cilëve një kontribut të rëndësishëm po jep dhe IRI. Zoti Basha i prezantoi dhe projektin e Aleancës Qytetare për Demokracinë, i cili sipas kryetari të PD është koalicioni për të çliruar ekonominë dhe për të çuar përpara ndryshimet që presin shqiptarët.
foto galeri