Përballja derbi e zhvilluar mbrëmjen e së enjtes në kryeqytet ishte dramatike, me fundin e ndeshjes që prodhoi emocione të forta, për ata që nuk kanë probleme me zemrën.

Fillimisht Maguette kaloi në avantazh Partizanin në të 77 minutë, ndërsa Hasani barazoi për bardheblutë në minutën e 90-të. Kur Tirana ende nuk kishte marrë veten nga festa, ishte Mensah që në të 90+2 minutë shënoi golin e dytë për Partizanin, që rezultoi me vlerën e tri pikëve.

Me më shumë se 15 mijë tifozë në shkallët e stadiumit, ndeshja nisi e luftuar. Ishte Tirana që ngacmoi me Latifin, ndërsa Partizani provoi me Carën dhe Rrapaj, por Abdullahu në portën e bardhebluve ishte në një ditë perfekte. Në të 42 minutë Partizani bëri një zëvendësim të detyruar, me Sotën që la fushën i dëmtuar dhe në vend të tij u fut Kocijan. Megjithë rastet, pjesa e parë u mbyll 0-0.

Fraksioni i dytë i lojës ishte fantastik, me Tiranën që goditi dy herë traun e portës me Abazaj në të 51 minutë dhe Hoxhallarin në të 73 minutë. E kur nuk shënon do duhet të kujdesesh për mos pësuar. Duhej e 77 minutë që derbi të zhbllokohej me Maguette, që shfrytëzoi mirë një krosim nga këndi dhe kërceu mbi të gjithë për avantazhin 1-0 të Partizanit.

Fundi i ndeshjes ishte më shumë se dramatik. Në të 90 minutë Florent Hasani barazoi gjithçka në 1-1, teksa vetëm dy minuta më vonë një këmbë e zgjatur e Mensah devijoi pasimin e Kekos në rrjetën e Tiranës, për të rikthyer sërish pas disa sekondash epërsinë e kuqe.

Megjithë edhe tetë minutat shtesë, Tirana nuk mundi të shënonte edhe pse Abdullahu tentoi të bënte heroin kur la portën dhe doli në sulm, por u ndal nga Hoxha pas goditjes me kokë.

Tanimë me shtatë ndeshje të luajtura, Partizani me 14 pikë merr vendin e dytë, ndërsa Tirana me 13 pikë pas tetë ndeshjeve të luajtura qëndron në vendin e katërt.

Derbi i 171-të foli kështu për të kuqtë dhe bilanci ka shkuar në 71 fitore për Partizanin, 53 herë ka fituar Tirana, ndërsa 47 përballje të tjera janë mbyllur në barazim. Me humbjen e sotme bardheblutë shkojnë në 381 ditë pa fitore në derbi. Për herë të fundit Tirana e ka mposhtur Partizanin më 2 tetor 2022 në shifrat 0-2, ku të dy golat u shënuan nga Redon Xhixha.

Komentet kryesore të ndeshjes:

90+8′ Mbyllet 2-1 ndeshja. Partizani merr tri pikë në derbi.
90+2′ Partizani 2-1 Tirana. Fund i çmendur në “Air Albania”. Disa sekonda pasi Tirana barazoi, Mensah kalon në avantazh Partizanin pas asistit të Keko.
90′ Partizani 1-1 Tirana. Bardheblutë barazojnë me Florent Hasanin.
77′ Partizani 1-0 Tirana. Maguette kalon në epërsi të kuqtë. Në zhvillimet e një këndorje, Maguette kërcen mbi të gjithë dhe ndëshkon Abdullahun me kokë.
74′ Rrapaj driblon bukur, futet në zonë dhe shkarkon të djathtën. Sfera del jashtë.
73′ Tirana ka rastet e arta të ndeshjes. Një krosim nga këndi, bën që Hoxhallari me kokë të godasë traversën, ndërsa në vijimin e aksionit Abazajt i hiqet një gol i sigurt, me Maguette që largon mbi vijë.
70′ Eldorjan Hamiti ndal ndeshjen disa çaste, në drejtim të Alban Hoxhës hidhen copa stolash nga tifozët e Tiranës. Paralajmërohen tifozët.
67′ Rimal Haxhiu dhe Regi Lushkja në fushë, Hila dhe Latifi dalin te Tirana.
66′ Mensah dhe Bilali në fushë për Partizanin, dalin Bintsouka dhe Taipi.
52′ Adnard Mehmeti tenton nga jashtë zone, ndal gardiani i Tiranës.
51′ Kristal Abazaj ka mundësinë më të mirë të ndeshjes për Tiranën, sulmuesi godet traun e portës. Me fat Partizani.
49′ Najdovski merr karton të verdhë te Tirana.
46′ Nis pjesa e dytë, Cara dhe Bintsuka kanë shanse për gol te të kuqtë. Abdullahu hero te Tirana.
45+2′ Mbyllet 0-0 pjesa e parë.
45+2′ Bintsuka nuk përfiton në zonë, rast goli për të kuqtë.
45+1′ Doka tenton nga brenda zonës pas pasimit të Përgjonit, Alban Hoxha bën një pritje të bukur.
41′ Sota del i dëmtuar, në vend të tij Kocijan në qëndër të mbrojtjes te Partizani.
36′ Hila merr karton të verdhë te Tirana. Dy mesfushorët e Tiranës të ndëshkuar në pak minuta.
32′ Jonuzi merr karton të verdhë te Tirana.
30′ Rrapaj godet nga jashtë zone, ndal portieri i Tiranës.
27′ Abdullahu ndal Carën. Rasti më i mirë i Partizanit. “Alla-Neuer” portieri 19-vjeçar i bardhebluve.
22′ Latifi humbet një kundërsulm, e ndal Sota me një lëvizje të zgjuar.
11′ Najdovski ndal Carën në një nisje të shpejtë.
1′ Nis ndeshja në “Air Albania”, atmosferë fantastike nga tifozët (19:00).

Renditja:

Formacionet zyrtare:
Partizani (4-3-3): Hoxha, Atanaskoski, Bytyçi, Sota, Murataj, Rrapaj, Maguette, Taipi, Mehmeti, Cara, Bintsouka Trajner: Arbër Abilaliaj
Tirana (4-2-3-1): Abdullahu, Najdovski, Doka, Përgjoni, Hoxhallari, Hila, Jonuzi, Deliu, Latifi, Abazaj, Hasani Trajner: Julian Ahmataj