Zoran Zekic largohet nga Partizani, ky është një fakt që pret vetëm konfirmimin zyrtar. Tekniku kroat shprehu publikisht dëshirën e tij për t’u rikthyer në Kroaci, por ky largim nuk vjen falas. Presidenti Demi, pas takimit që pati me Zekic, ia bëri të qartë se në fund vendos ai, ultimatum i shoqëruar edhe me një kusht për Osijek: “E dëshironi Zekic, atëherë paguani”. Për herë të parë në histori, në Shqipëri sigurisht, Partizani arrin të shes një trajner. Osijek pranoi kushtin e vendosur nga drejtuesit e Partizanit, pranoi të paguaj për të rikthyer në Kroaci ish trajnerin e tyre.
Partizani pritet të përfitojë afro 100 mijë euro nga shitja e Zekic, një shumë e majme që i jep mundësinë të zgjedhin me qetësi pasuesin e tij. Opsioni i parë, dhe ky nuk është një sekret, për të pasur Zekic në krye të demave, është Orges Shehi. Ish portieri i të kuqeve gëzon vlerësim maksimal nga drejtuesit e Partizanit, edhe gjatë verës, kur Shehit i përfundoi kontrata ishin të gatshëm t’i paraqisnin një ofertë zyrtare, por në fund Shehi vendosi të rinovojë kontratën me Tiranën. Pavarësisht se Shehi është larguar nga Tirana, nuk është një trajner i lirë, Partizani apo çdo skuadër tjetër që kërkon shërbimet e tij duhet të paguajë, të trokasin fillimisht te Tirana.
Me paratë e fituara nga shitja e Zekic, Partizani e ka më të lehtë të investojë për të siguruar shërbimet e Shehit. Në çdo rast, kjo nuk pritet të jetë një negociatë e lehtë, fundja Tirana “shpiku” këtë pezullim, pikërisht si një klauzolë për ekipe si Partizani. Në çdo rast, Shehi ka mohuar të ketë kontakte me drejtuesit e kuq, të paktën për momentin. Palët pritet të marrin pak më shumë kohë, të mbyllet fillimisht derbi i 19 tetorit, për të vendosur më pas se kush do të jetë trajneri i ri i Partizanit. Në këtë sfidë, ashtu siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, demat pritet t’i drejtojë Kalari.