Nga Mero Baze/

Është një anektodë pak banale që tregohet në Shqipëri, për dikë që e poshtëronin familjarisht dhe i thonin “mos e nxirr këmbën nga rrethi, sa të mbarojmë punë”. Dhe kur mbaron gjithçka, ky i futuri në rreth, ju mburret të vetëve, se një herë kur ai i forti se kishte mendjen, ai e kishte nxjerrë këmbën nga rrethi. Kështu po i ngjet pak a shumë Sali Berishës. Prokuroria ka nisur hetim penal ndaj tij dhe dhëndrit të tij, dhe ka urdhëruar masë sigurie, që fillimisht është detyrim paraqitje dhe bllokim udhëtimesh jashtë vendit. Berisha në fillim nuk pranonte të merrte njoftimin, duke u fshehur në banjë kur vinin policët, në zyrë, apo shtëpi. Pastaj kur e pa që mund të merrte një ndëshkim dhe më të madh, dërgoi dy avokatët e vet në gjyq, duke pranuar procedurën ligjërisht. Pastaj tërhoqi avokatët, me shpresë që do të bllokonte procesin dhe tani po mbrohet me avokatë “kryesisht”, të caktuar nga gjykata.

Në finale, Gjykata e mbaron punën e saj këtu me Sali Berishën. E legjitimon procesin e masës së sigurisë dhe e vë atë në zbatim. Tani e tutje, nëse Berisha nuk e ankimon këtë vendim në një shkallë më të lartë, ai është në dispozicion të SPAK për detyrim paraqitje sa herë që t’i duhet SPAK dhe nuk udhëton dot jashtë shtetit. Krekosja e tij nëpër salla konferencash ku u bën gjyqin gjykatave dhe SPAK dhe ku premton se do ngrejë Shqipërinë në këmbë kundër drejtësisë që po vepron pa mëshirë në të dy krahët, është si krekosja e atij personazhit tek anekdota që u mburrej shokëve që “unë e nxora njëherë këmbën nga rrethi, po ai nuk më pa”.

Akoma më e shëmtuar vërsulja e avokatëve të tij ndaj gazetarëve që raportojnë, siç është rasti i Klodiana Lalës, e cila me dëshirë ndoshta nuk ka dashur kurrë ta shohë Sali Berishën në këtë ditë të zezë, por nuk është në dorë të saj. Avokatët e Berishës duhen për të mbrojtur Berishën nga drejtësia, jo Berishën nga gazetarët. Por Berisha shpreson se do t’i shpëtojë gjyqit penal dhe do të bëjë gjyq popullor kundër drejtësisë. Ndaj e ka nisur betejën me shtypin, me ata që raportojnë dhe ata që e mbajnë vëmendjen tek gjyqi penal, dhe jo tek “pushkët” që do rrëmbejë Paloka, apo rezistencën e Flamurit që nuk mori dot as SHQUP-in me dhunë më 8 janar, por pretendon të marrë pushtetin.

Drejtësia e ka mbaruar procedurën më të. Ja ka vizatuar rrethin ku mund të lëvizë dhe do t’i caktojë dhe oraret kur do paraqitet. Ditë më të vështira do të vijnë nga hetimet rreth verifikimit të pasurisë, privatizimit të CEZ, nderet që u ka bërë çekëve pas takimeve që u ka lënë djali në Tiranë dhe më tej historitë e Gërdecit dhe 21 janarit. Ky është vetëm fillimi i kësaj historie. Tani nëse këtij i duket vetja i fortë se mund të nxjerrë këmbën nga rrethi për të sulmuar gazetarë apo kritikë të tij, që nuk e mbështesin në këto ditë të zeza, dhe mund ta bëjë, por nuk është se shpëton nderin e tij apo familjes. Ai tani e tutje do ta ketë të vështirë t’u shpjegojë shqiptarëve dhe sidomos demokratëve, pse në këto 32 vjet, vetëm djali dhe vajza e tij arritën të bëhen miliarderë. Nuk është se kanë shfaqur ndonjë talent të veçantë, përveç të qenurit hajdutë.