Tetori ishte muaji perfekt për futbollin shqiptar, paraqitja e shkëlqyer e Kombëtares “ndezi” edhe më shumë ambientin kuqezi. I vetmi detaj negativ, nëse mund të quhet i tillë, ishte mungesa e Armando Brojës. Tifozët e pritën me padurim rikthimin e “bomberin”, por një shqetësim në gju bëri që Broja të largohej nga grumbullimi për t’u rikthyer te Chelsea. Në dukje nuk ishte diçka serioze teksa shije Brojën duke u stërvitur me kohë të plotë në Londër, por me sa duket, Broja nuk është në kushte perfekte, nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Pochettino për derbin kundër Arsenal.

Ishte vet trajneri i bluve i cili në konferencë për shtyp theksoi: se Broja nuk do të jetë në dispozicion të ekipit për këtë takim. Pas zhurmës që bëri mungesa e tij në sfidën kundër Republikës Çeke, tashmë gjithçka është e qartë, nuk ka as krisje e as hatër mbetje mes Brojës dhe trajnerit Sylvinho. Tifozëve nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të shpresojnë që për dy sfidat e nëntorit, Broja të jetë në kushte ideale për të udhëhequr Shqipërinë drejt kualifikimit për në “Euro2024”.

Pavarësisht se kjo nuk ka qenë periudha më e mirë për Brojës, e kushtëzuar nga dëmtimi i tij, emri i sulmuesit kuqezi vijon të jetë prezent.