Gaza është vetëm 41 km e gjatë dhe 11 km e gjerë, por ky rrip i vogël toke është një nga vendet për të cilat është luftuar më së shumti në histori. Ja një vështrim kronologjik i asaj së çfarë ka ndodhur përgjatë shekujve në këtë zonë të nxehtë.

Referencat biblike

Gaza përmendet herët në shkrime që datojnë në shekullin e 15-të para Krishtit. Ajo ishte një bazë e hershme egjiptiane, një qytet mbretëror i popullit filistinas dhe vendi ku heroi hebre Samsoni u tradhtua nga Dalila dhe u përball me vdekjen e tij. Sipas referencave në bibël, filistinasit ishin një popull me origjinë nga Egjeu që u vendos në bregun jugor të Palestinës në shekullin e 12-të p.e.s., rreth kohës së ardhjes së izraelitëve. Ata i premtuan Dalilës, një vajze filistinase, pasuri të pafundme nëse ajo do të zbulonte fuqinë e jashtëzakonshme të Samsonit. I joshur nga dashuria e saj, heroi hebre i rrëfeu vajzës se forca e tij buronte nga flokët. Këtë, Dalila ia tregoi filistanasve, të cilët i prenë flokët Samsonit dhe e dërguan në Gaza. Që atëherë, shumë gjak është derdhur…

Nga perandoria në perandori

Përgjatë shekujve, perandori të ndryshme pushtuan rajonin, duke përfshirë asirianët, persët dhe makabejtë. Në vitin 632, ajo u pushtua nga arabët. Ndërsa kryqtarët e gjetën Gazën pothuajse të shkretë në shekullin e 12-të. Më vonë, ra në duart e Napoleonit dhe Perandorisë Osmane. Ndërsa gjatë Luftës së Parë Botërore, u mor në kontroll nga Britania e Madhe, duke u bërë pjesë e Mandatit Britanik të Palestinës. Në dekadat në vijim, beteja të përgjakshme shpërtheni herë pas here midis popullatës hebreje dhe asaj arabe në Gaza.

1947

Gara më e fortë për të marrë Gazën, ndodhi në fund të Luftës së Dytë Botërore, kur hebrenjtë e persekutuar nga nazistët, u larguan nga Evropa drejt Izraelit, në kërkim të një fillimi të ri. Pas tmerreve të Holokaustit, në vitin 1947, Kombet e Bashkuara hartuan një plan për të ndarë Palestinën në dy troje, një për hebrenjtë dhe një për popullin arab. Mbështetur nga SHBA-ja dhe presidenti asokohe, Harry Truman, David Ben-Gurion, i njohur si “Babai i kombit izraelit”, më 14 maj 1948, shpalli deklaratën e pavarësisë së Izraelit. Pas kësaj, Egjipti sulmoi Izraelin përmes Rripit të Gazës. Izraeli fitoi dhe rreth 700.000 palestinezë ikën ose u dëbuan nga toka e tyre.

1967-1978

Në vitin 1967, shpërtheu lufta midis Izraelit, Egjiptit, Jordanisë dhe Sirisë në atë që njihet si Lufta 6-Ditore. Izraeli fitoi kontrollin e Rripit të Gazës dhe e mbajti për 38 vjet, për t’u tërhequr më pas në vitin 2005, por gjendja gjithsesi nuk u qetësua. Në vitin 1973, një koalicion i kombeve arabe, i udhëhequr nga Egjipti dhe Siria, nisën një sulm të befasishëm dhe të koordinuar ndaj Izraelit në Yom Kippur, një ditë e shenjtë hebreje. Nga të dyja palët pati një numër të madh viktimash. Një marrëveshje paqeje midis presidentit egjiptian, Anwar Sadat, dhe kryeministrit izraelit, Menachem Begin, ndërmjetësohet në shtator 1978 nga Presidenti i SHBA-së, Jimmy Carter, por asgjë që u vendos në atë marrëveshje nuk u zbatua ndonjëherë.

1987- 2000

Një kryengritje palestineze, e njohur si intifada e parë, solli përleshje, protesta dhe mosbindje civile kundër pushtimit izraelit në Bregun Perëndimor dhe Gaza. Trazirat patën të vrarë dhe të plagosur nga të dyja palët. Intifada e dytë, filloi në vitin 2000, pas vizitës që Ariel Sharon, kryeministri izraelit, bëri në një kompleks në Jerusalem që nderohet në Judaizëm, Krishterim dhe Islam. Në vitin 2005, Ariel Sharon njoftoi një plan për të zhvendosur të gjitha vendbanimet hebraike dhe trupat izraelite nga Gaza. Pavarësisht kësaj, sulmet me raketa në Izrael nga Gaza vazhduan. Palestinezët deklaronin se Izraeli vazhdonte kontrollin mbi Gaza përmes pikave strategjike, ndërsa Izraeli shpjegonte se masa të tilla ishin të nevojshme për sigurinë.

26 janar 2006

Hamasi, i cili renditet nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe të tjerët si një grup terrorist, fitoi në mënyrë dërrmuese në zgjedhjet legjislative palestineze. Militantët palestinezë sulmuan territorin izraelit, vranë dy ushtarë dhe rrëmbyen Gilad Shalit, një ushtar 19-vjeçar.

2007-2008

Pasi u zotuan të punojnë së bashku në një qeveri uniteti, Hamasi dhe Fatah, fraksioni tjetër kryesor palestinez, luftuan me njëri-tjetrin, duke kryer rrëmbime dhe vrasje. Hamasi shpalli kontrollin e Gazës, ndërsa Fatah kishte kontroll në Bregun Perëndimor. Pas sulmeve të vazhdueshme me raketa në jug të Izraelit, ushtria izraelite nisi Operacionin Cast Lead, i cili zgjati tri javë dhe përfshinte një ofensivë tokësore në Gaza. Izraeli dhe Hamasi raportuan shifra të ndryshme të vdekjeve.

2011

Hamasi dhe Fatah shpallën sërish një qeveri uniteti, e cila nuk u realizua. Të dyja palët bënë një njoftim të ngjashëm një vit më vonë. Gilad Shalit, ushtari izraelit i rrëmbyer nga Hamas, u lirua pas pesë vjetësh në robëri. Në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Egjipti, Izraeli ra dakord të lirojë 1027 të burgosur palestinezë. Një vit më vonë, Izraeli vret shefin ushtarak të Hamasit, Ahmed Jabari, duke shkaktuar më shumë se një javë sulm me raketa nga Gaza.

Dhjetor 2017

SHBA-ja njeh Jerusalemin si kryeqytet. Administrata Trump e njeh Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit dhe njofton se planifikon të zhvendosë Ambasadën e SHBA-së nga Tel Avivi, duke shkaktuar zemërim te palestinezët.

Maj 2021

Policia izraelite bastis Xhaminë al-Aksa. Pas javësh tensioni në Jerusalem që çoi në bastisjen e policisë izraelite në xhaminë al-Aksa, një nga vendet më të shenjta në Islam, Hamasi lëshon mijëra raketa në drejtim të qytetit, duke bërë që Izraeli të kundërpërgjigjet me qindra sulme ajrore.

Pranverë 2022

Një valë dhune ndaj izraelitëve nga palestinezët la 14 izraelitë të vdekur në një seri sulmesh midis 22 marsit dhe 8 prillit. Si kundërpërgjigje, Izraeli shtypi militantë e aktivistë dhe nisi një operacion ushtarak.

Tetor 2023

Netanyahu i shpall zyrtarisht luftë Hamasit më 8 tetor, pas një sulmi të befasishëm nga militantët e Hamasit që erdhi një ditë pas 50-vjetorit të Luftës së Yom Kipur ose Lufta Arabo-Izraelite. Izraeli deklaron se të paktën 900 izraelitë janë vrarë nga Hamasi, mes tyre gra, fëmijë dhe të moshuar.