Pamje prekëse vijnë nga Palestina teksa një baba mban në krahë foshnjën e vrarë nga bombardime izraelite.
Nga kampi i refugjatëve në Jabalia, ai u shpreh se edhe nëse e shtypin me tank nuk do të largohet nga banesa.
“E kam thënë fjalën time, edhe nëse më shtypin me tank, nuk largohem nga shtëpia ime.
Do të vendos një tendë në shtëpinë time të shkatërruar dhe do të jetoj brenda. Nëse SHBA, Izraeli dhe Perëndimi hyjnë në Gaza, unë do të qëndroj në shtëpinë time. Atë që ata i bënë babai dhe nënës sime, unë nuk do t’ia bëj vetes dhe fëmijëve të mi, do të qëndroj i palëkundur në shtëpinë time”, tha ai, teksa qan mbi trupin e djalit të tij.
Babai shprehet se i biri i vdekur ishte vetëm 2-vjeç e gjysmë.
“Ai ishte vetëm 2 vjeç e gjysmë, çfarë bëri, vrau ndokënd? Qëlloi ndonjë njeri, rrëmbeu. Janë fëmijë të pafajshëm brenda shtëpive të tyre”, thotë ai.
Të enjten, ministria e shëndetësisë e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, tha se bombardimet izraelite në Gaza kishin vrarë 7.028 palestinezë, përfshirë 2.913 fëmijë, në gati tre javë që kur Hamasi vrau rreth 1.400 izraelitë dhe rrëmbeu më shumë se 200 të tjerë në sulmin e saj ndërkufitar.
Ministria lëshoi gjithashtu një listë prej 212 faqesh me emrat dhe numrat e identitetit të çdo palestinezi që është vrarë në bombardimet izraelite. Lista erdhi pasi Biden hodhi dyshime mbi shifrat.