Presidenti i Republikës, Bajram Begaj vizitoi këtë të shtunë “Panairin e Verës”, të çelur në qytetin e Beratit me pjesëmarrjen e prodhuesve shqiptarë të verës të ardhur nga brenda dhe jashtë vendit.
Kreu i Shtetit bisedoi me autoritetet lokale dhe sipërmarrësit e pranishëm në panair, të cilët i përgëzoi për nismat e promovimit të verës dhe produkteve të tjera vendase.
“Një organizim perfekt do të thoja, për faktin që ky panair vere nuk është vetëm me pjesëmarrjen e kantinave të qarkut të Beratit por siç e pashë edhe nga prezenca, është mbarëshqiptar. Kemi kantina të rajoneve të tjera të Shqipërisë, kemi kantina të Kosovës, kemi dhe kantinë vere arbëreshe”, tha në një prononcim për mediat Presidenti Begaj.
Kreu i Shtetit shtoi më tej se, “është kënaqësi për mua të shoh gjithë këto modele biznesi të suksesshme të cilët mundësojnë shumë, jo vetëm për promovimin e tyre, por edhe për një lloj promovimi të turizmit, të turizmit të qëndrueshëm. Ata ndihmojnë komunitetin e zonës ku zhvillojnë aktivitetin e tyre, por ruajnë dhe traditën, vlerat dhe trashëgiminë që ne kemi pasur në këtë prodhim”.
Duke iu referuar modelit të “Panairit të Verës” në Berat, Presidenti Begaj theksoi se, “është detyrë e institucioneve që këto modele panairesh t’i përkthejnë në iniciativa ndihme për të gjithë ata të cilët merren me këtë lloj aktiviteti”.
Presidenti Begaj gjatë qëndrimit në Berat vizitoi edhe disa kantina vere të njohura të zonës, të cilat i konsideroi shembull të suksesit të ardhur përmes një pune e perkushtimi të lavdërueshëm, që i kanë mundësuar atyre të krijojnë një emër edhe përtej Shqipërisë.