Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe homologu i tij kroat, Andrej Plenkoviç i bënë thirrje sot, (2 tetor 2023) Bashkimit Evropian dhe Perëndimit të ndërmarrin masa kundër Serbisë, pas sulmit të 24 shtatorit 2023, nga një grup i armatosur serb ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit.
“Vrasja e një efektivi të policisë së Republikës së Kosovës nga një grup kriminal i armatosur deri në dhëmbë, i veshur ushtarakisht në territorin e Republikës së Kosovës dhe zija kombëtare e shpallur në Beograd për anëtarët e këtij grupi që u eliminuan nga Forcat e Sigurisë së Kosovës janë të pajustifikueshme, janë të papranueshme dhe janë të dënueshme në të gjitha nivelet” deklaroi kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për median me homologun kroat.
Të dielën e 24 shtatorit, rreth tridhjetë pjesëtarë të armatosur rëndë të njësive paraushtarake serbe vranë policin Afrim Bunjaku në fshatin Banjskë në Zveçan, në veri të Kosovës. Forcat e sigurisë së Kosovës eliminuan tre sulmues serbë në betejë, prandaj Beogradi shpalli ditë zie.
Gjatë vizitës zyrtare në Zagreb, Rama në një konferencë tha se agresioni i forcave paramilitare është po aq shqetësues sa edhe reagimi i Beogradit.
“Shpallja e zisë kombëtare duke heroizuar disa persona të cilët ishin të përfshirë në vrasjen e një efektivi policie, të veshur ushtarakisht me uniforma, jo shtetërore, të armatosur deri në dhëmbë dhe pastaj të eliminuar si kriminelë, është diçka po kaq e rëndë do thoja, sa vetë ajo që i parapriu.
Nga ana e tij kryeministri kroat Plenkoviç theksoi se këto lëvizje “nuk mund të mbeten pa përgjigje” dhe se vendimi i Beogradit në ditën e zisë “pothuajse nënkupton identifikimin me atë që ka ndodhur”. Ai theksoi nevojën e një hetim për të përcaktuar plotësisht se çfarë ka ndodhur, pas së cilës i dërguari special i BE-së për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të propozojë masa.
Kryeministri Edi Rama, tha se duhet të merren masa nga BE ndaj Serbisë ashtu siç janë marrë kundër Kosovës.
“ Këtu bëhet fjalë për masa simetrike minimumi, në raport me ato që janë marrë më parë për Kosovën, të cilat duhet të merren edhe për Serbinë, minimumi. Nëse nuk ka konsensus për të bërë më shumë në nivelin e Këshillit Europian, ka programe, ka marrëdhënie, të cilat përdoren për të thënë stop. Stop dhe në asnjë mënyrë nuk mund të pranohet që në mes të Europës, në mes të një rajoni ku të gjitha vendet kanë shprehur vullnetin që të bëhen vende anëtare të Bashkimit Europian, një grup kriminal i armatosur deri në dhëmbë ushtarakisht me uniforma ilegale t’i marrë jetën një efektivi policie dhe pastaj t’i gëzohet nderit më të lartë që mund të ekzistojë, zisë kombëtare në vendin nga e ka origjinën. Ky është kulmi, e papranueshme, e pajustifikueshme dhe e dënueshme” tha Rama.
Edhe Plenkoviç u shpreh i siguirtë se do të merren masa
“Komisioni Europian ka ndërmarrë disa masa të caktuara në dëm të Kosovës para disa muajsh. Këto masa janë ndërmarrë edhe pa obligimin e aprovimit nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian. Këto janë disa prej masave, të cilat në mënyrë autonome ndërmerren nga ana e Komisionit Europian. Kur të bëjnë propozimin do të shohim se cilat do të jenë këto masa, por supozojmë që një vepër e tillë nuk do të mbetet pa përgjigje dhe gjithashtu konsiderojmë që deklarimi apo shpallja e ditës së zisë për vrasjen e policit të Kosovës apo për tre të vrarët të cilët kishin vrarë më herët policin e Kosovës ka qenë diçka e papranueshme dhe është një mesazh, i cili nuk kupton identifikimin e plotë me veprën e bërë dhe kjo është diçka që nuk ka qenë asesi e mirë dhe jam i sigurt që në ditët në vijim, në bazë të analizës së detajuar, pasi duam të jemi tërësisht të informuar mbi atë se çfarë ka ngjarë, do të rrjedhin propozimet në bazë të kësaj çfarë kemi përmendur” tha Plenkoviç
Për shkak të mosrespektimit të kërkesave të BE-së ndaj Prishtinës, KE mori masa për të pezulluar punën në trupat punues në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, tërhoqi ftesat për takime të nivelit të lartë dhe pezulloi Kosovën nga programi i saj prej 7.5 miliardë eurosh.
Kryeministri kroat nënvizoi se është i sigurt se të gjitha masat “do të ndërmerren”, ndërsa Rama theksoi se ato duhet të aplikohen pa humbur kohë “sepse vendimi i Beogradit për ditë zie nuk lë vend për interpretim tjetër
“Shfaqjet e ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën, të cilat vetëm nxisin tensione dhe rrisin frymën e ndasive, të cilat ne duhet të kurojmë. Është pozitive që ushtria serbe filloi të sprapset dhe të tërhiqet, por është shumë negative që ushtria serbe përdoret për shfaqje të tilla që nuk i shërbejnë absolutisht interesave afatgjata dhe as këtij momenti të rëndësishëm kur i gjithë rajoni duhet të jetë i bashkuar në drejtim të paqes dhe të integrimit në Bashkimit Europian dhe në komunitetin euro-atlantik.
Kemi krimin, vrasjen e një efektivi të policisë dhe kemi heroizimin e atyre që morën pjesë në këtë vrasje dhe në aspektin kriminalistik policor, hetimi ndërkombëtar mbase sjell dhe ndonjë element plus, por në aspektin politik dhe në aspektin e qëndrimit të një shteti në raport me disa norma dhe me disa vlera të patjetërsueshme të kësaj Europe, të cilës i përkasim dhe në të cilën duam të jemi të gjithë një familje e bashkuar, kjo është qartësisht e mjaftueshme” tha Rama.
“Supozojmë që një vepër e tillë nuk do të mbetet pa përgjigje dhe gjithashtu konsiderojmë që deklarimi apo shpallja e ditës së zisë për vrasjen e policit të Kosovës apo për tre të vrarët të cilët kishin vrarë më herët policin e Kosovës ka qenë diçka e papranueshme dhe është një mesazh, i cili nuk kupton identifikimin e plotë me veprën e bërë dhe kjo është diçka që nuk ka qenë asesi e mirë dhe jam i sigurt që në ditët në vijim, në bazë të analizës së detajuar, pasi duam të jemi tërësisht të informuar mbi atë se çfarë ka ngjarë, do të rrjedhin propozimet në bazë të kësaj çfarë kemi përmendur” tha Plenkoviç.
Të dielën pasdite, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Kosova ka mbledhur prova që dëshmojnë se Serbia u përpoq ta aneksojë veriun e Kosovës dhe se sulmuesit u përgatitën për një kohë të gjatë në bazat ushtarake.