Mjetet ikonike nga Old Cars Club nga Italia tërhoqën vëmendjen e mijëra të pasionuarve pas motorsportit gjatë edicionit të II të Automotive Fair Albania, që u zhvillua 26-29 nëntor në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga ky panair me mjete të veçanta e të rralla.

Rama tha se “mjetet ikonike nga Old Cars Club nga Italia garuan për herë të parë në Shqipëri në një cirkuit të dedikuar qytetës duke tërhequr me qindra e mijëra të pasionuar pas motorsportit në zemër të Tiranës si pjesë e Automotive Fair Albania”.

Gjatë këtij panairi publikut ii ofruan minigara, parada dhe shfaqje automotive, ekspozime mjetesh me interes të lartë historik RETRO. Po nuk munguan edhe aktivitetet edukative për të gjitha grupmoshat.

Përgjatë panairit, krahas hapësirës së dedikuar për të gjithë të pasionuarit pas automjeteve klasike, atyre moderne, teknologjisë së automjeteve dhe jo vetëm, u zhvilluan konferenca me mbi 40 folës e ekspertë të lëvizshmërisë, sigurisë rrugore e sipërmarrës, Climathon dhe aktivitete formuese e argëtuese për moshat e reja e publikun e gjerë, gara e shfaqje sportive.