Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në Samitin e Tretë të Komunitetit Politik Evropian që zhvillohet në Granada të Spanjës.

Kreu i qeverisë ka zhvilluar një takim me Kryeministren e Italisë Giorgia Meloni, Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Europian, Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak, Mark Rutte, Kryeministër i Holandës dhe Presidentin e Francës Emanuel Macron.

Komuniteti Politik Evropian synon të nxisë dialogun politik dhe bashkëpunimin për të adresuar çështjet me interes të përbashkët, të forcojë sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit evropian.

Deri më tani, Komuniteti Politik Evropian ka zhvilluar dy takime. Në takimin e parë në tetor 2022, liderët europianë diskutuan kryesisht çështjet e paqes dhe sigurisë, veçanërisht luftën në Ukrainë dhe krizën energjetike. Në takimin vijues në qershor 2023, ata diskutuan përpjekjet e përbashkëta për paqen dhe sigurinë, qëndrueshmërinë e energjisë dhe lidhjen dhe lëvizshmërinë në Evropë.