Kryeministri Edi Rama ka ironizuar rezolutën që opozita ka propozuar për të dënuar sulmin ndaj Kosovës. Rama tha se përse nuk kanë sjellë asnjëherë rezoluta për ti bërë thirrje botës demokratike të hulumtojë burimin nga rrjedh procesi gjyqësor për Thaçin dhe tre komandantët e tjerë.
“Ata që e sollën draft rezolutën, që sjellin rregullisht drafte të tilla deri për ta çuar në këmbë nga varri armatën e viktimave të komunizmit. A na e thonë dot pse nuk e kanë sjell deri më sot ndonjë draft rezolutë për ti bërë thirrje botës demokratike të hulumtojë burimin nga rrjedh procesi gjyqësor për Thaçin dhe tre komandantët e tjerë dhe të monitorojë se si po respektohet atë proces parimi shenjtë demokratik i prezumimit të pafajësisë. Unë di ta them pse nuk e ka sjellë dhe s’ka për ta sjellë, ja pse. Ky është kuvendi i një shteti, nuk është bahçja e 7 partive tuaja, i një shteti që ka mjetet në dispozicion për ta ngritur ndërkombëtarisht këtë shqetësim dhe do ta bëjë kurdoherë përballë kujtdo që duhet ta dëgjojë të vërtetën rrëqethëse mbi rrjedhën e këtij procesi”, tha Rama.