Belind Këlliçi ka reaguar me anë të një postimi në Facebook në lidhje me arrestimin e Jamarbër Malltesit dhe masën e sigurisë e cila i kufizon lirinë, duke mos e lejuar të udhëtojë jashtë vendit, ish-kreyministrin Sali Berisha. Këlliçi tha se e gjithë kjo është një show dhe zhurmë e cila po përdoret nga qeveria për të hequr vëmendjen nga skandali i inceneratorëve.

“Arrestimi i Jamarbër Malltezit është një shkelje e qartë e ligjit, për shkak se më shumë sesa një hetim i pastër ligjor, është dukshëm një përndjekje e pastër politike. Jo vetëm sepse ai është familjar i Sali Berishës, por për shkak se zullumi i rilindjes ka arritur atë kulm, sa lypset një kurim, duke hedhur prangat padrejtësisht në anën tjetër. Duhet një zhurmë shumë e madhe për të hequr vëmendjen nga skandali i inceneratorëve, ku denoncues kryesor ka qenë vetë Jamarbër Malltezi që nga dita e parë e bërjes publike të këtij skandali, aferë kjo e cila sapo ka shpalosur tashmë ideatorët dhe përfituesit kryesorë, që quhen Edi Rama dhe Erion Veliaj.

Jam mbështetës i drejtësisë dhe zhdukjes së pandëshkueshmërisë pa asnjë kufizim. Por një drejtësi me agjendë të pastër politike, që nuk është e verbër para ligjit, por mban një sy hapur për të qenë në rregull me pushtetin, nuk i shërben aspak vendit.
Show dhe spektakli i gatuar në kuzhinën mediatike të qeverisë është një standard i cili duhet të refuzohet me përbuzje nga çdo qytetar. Ish-hetuesi i diktaturës Kraja, i cili ka shkelur Kushtetutën e vendit duke kufizuar lirinë e Sali Berishës pa asnjë vendimmarrje të Kuvendit të Shqipërisë, do duhej që në fakt sot të kishte çuar para drejtësisë me prova e me fakte Edi Ramën bashkë me Erion Veliajn dhe tërë shpurën e tyre që kanë 10 vite që grabisin pasuritë publike dhe të ardhmen e shqiptarëve”,-shkruan Këlliçi.